string(68) "okb-mbi-72-000-migrante-te-vdekur-ose-te-zhdukur-ne-dekaden-e-fundit"

OKB: Mbi 72.000 migrantë të vdekur ose të zhdukur në dekadën e fundit

Lajme

Gazeta Express

29/04/2025 16:02

Më shumë se 72.000 vdekje dhe zhdukje janë dokumentuar përgjatë rrugëve të migrimit në mbarë botën gjatë dekadës së fundit, shumica në vende të prekura nga kriza, tha të martën Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Viti i kaluar shënoi numrin më të lartë të regjistruar ndonjëherë të migrantëve të vdekur, me të paktën 8.938 persona që humbën jetën përgjatë rrugëve të migrimit, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM).

Lexo Edhe:

“Këto shifra janë një kujtesë tragjike se njerëzit rrezikojnë jetën kur pasiguria, mungesa e mundësive dhe presione të tjera i lënë pa zgjedhje të sigurta apo të qëndrueshme në vendin e tyre”, tha drejtoresha e IOM-it, Amy Pope.

Raporti i agjencisë së OKB-së zbuloi se gati tri të katërtat e të gjitha vdekjeve dhe zhdukjeve të migrantëve të regjistruara globalisht që nga viti 2014 ndodhën ndërsa njerëzit po iknin nga pasiguria, konfliktet, katastrofat dhe krizat e tjera humanitare.

Një në katër ishin “nga vende të prekura nga kriza humanitare, me mijëra vdekje të afganëve, rohingjave dhe sirianëve të dokumentuara përgjatë rrugëve të migrimit në mbarë botën”, thuhej në Raportin për Migrantët e Zhdukur të IOM-it.

Raporti thekson se më shumë se 52.000 persona humbën jetën ndërsa përpiqeshin të largoheshin nga një prej 40 vendeve në botë ku OKB-ja ka një plan reagimi ndaj krizave ose plan humanitar të veprimit.

Pope bëri thirrje për investime ndërkombëtare “për të krijuar stabilitet dhe mundësi brenda komuniteteve, në mënyrë që migrimi të jetë një zgjedhje, jo një domosdoshmëri”.

“Dhe kur qëndrimi [në vendlindje] nuk është më i mundur, duhet të punojmë së bashku për të mundësuar rrugë të sigurta, ligjore dhe të rregullta që mbrojnë jetët”, tha ajo.

Mesdheu Qendror mbetet rruga më vdekjeprurëse e migrimit në botë, me gati 25.000 persona të humbur në det gjatë dekadës së fundit, tha IOM.

Më shumë se 12.000 prej tyre janë humbur në det pasi janë nisur nga Libia e shkatërruar nga lufta, ndërsa të panumërt të tjerë janë zhdukur gjatë tranzitit nëpër shkretëtirën e Saharasë, sipas raportit.

Më shumë se 5.000 persona kanë humbur jetën ndërsa përpiqeshin të largoheshin nga Afganistani i shkatërruar nga kriza gjatë dekadës së fundit, shumë prej tyre pas rikthimit të talibanëve në pushtet në vitin 2021.

Dhe më shumë se 3.100 anëtarë të pakicës së përndjekur Rohingja nga Mianmari kanë vdekur gjatë kësaj periudhe, shumë prej tyre në mbytje anijesh apo gjatë kalimit në Bangladesh.

“Shumë shpesh, migrantët harrohen”, paralajmëroi Julia Black, koordinatore e Projektit për Migrantët e Zhdukur të IOM-it dhe autore e raportit.

“Dhe për shkak të mungesës së të dhënave – sidomos në zonat e luftës dhe në rajonet e goditura nga katastrofat – numri real i viktimave ka shumë gjasa të jetë shumë më i lartë se sa kemi regjistruar”, tha ajo./REL/