Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, e konsideron “kthesë të rrezikshme për të ardhmen e shërbimit civil në Kosovë”, vendimin e Gjykatës Kushtetuese që tha se janë në përputhje me Kushtetutën dispozitat kalimtare të Ligjit për Zyrtarët Publikë.
Kjo, sipas tij, bie ndesh me komentet e Bashkimit Europian dhe me obligimet që i ka marrë vendi me Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.
“Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese në rastet KO222/24 dhe KO224/24, i cili vlerëson si në përputhje me Kushtetutën dispozitat kalimtare të Ligjit për Zyrtarët Publikë (Ligji nr. 08/L-294), që shndërrojnë pozitat e nivelit të mesëm dhe të ulët drejtuese nga pozita me afat të pacaktuar në mandate të kufizuara, është një kthesë e rrezikshme për të ardhmen e shërbimit civil në Kosovë dhe cenim i garancive juridike të tyre”, shkroi Tahiri në një postim në Facebook.
“Ky zhvillim cenon të drejtat e fituara dhe pritjet legjitime të nëpunësve civilë, dhe bie ndesh me standardet e SIGMA-s për një administratë të qëndrueshme, profesionale dhe të mbrojtur nga ndikimi politik. Po ashtu, bie ndesh me komentet e përsëritura të Bashkimit Evropian, që kërkojnë nga Kosova depolitizimin e administratës dhe respektimin e sigurisë juridike të nëpunësve publikë. Në këtë kontekst, bie ndesh me vetë obligimet që ka marrë Kosova me MSA-në për reformimin e administratës shtetërore në koordinim të ngushtë me BE-në”, shtoi ai.
Tahiri thotë se “të gjitha ndërhyrjet në këtë ligj, nuk janë të frymëzuara nga parimi i rregullimit të duhur dhe të qëndrueshëm të strukturave shtetërore”.
“Në fakt, ato po krijojnë praktika që mund të rrezikojnë seriozisht funksionimin institucional të shtetit. Këto ndryshime po ndikojnë në stabilitetin e administratës publike dhe mund të minojnë besimin e qytetarëve në institucionet që duhet të jenë të qëndrueshme dhe të depolitizuara”, shkroi ai.
Ky vendim, sipas Tahirit, “është pjesë e një tendence më të gjerë për kontroll institucional, njësoj si në rastin e përpjekjeve të vazhdueshme për të ndikuar Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, përmes shkarkimeve të anëtarëve, ndërhyrjeve në mandatin e tij dhe cenimit të rolit mbikëqyrës që ai duhet të luajë në mbrojtje të pavarësisë dhe paanshmërisë së shërbimit civil”.
“Në rolin tim të mëparshëm si Koordinator i Nacional për Reforma Shtetërore, Zëvendëskryeministër e Deputet kam pasur gjithmonë një fokus të vetëm dhe të qartë: ruajtjen dhe forcimin e garancive juridike për një administratë të pavarur, profesionale dhe të depolitizuar. Ky ka qenë angazhimi im kryesor për një administratë që respekton standardet ndërkombëtare dhe që vepron në interes të qytetarëve, dhe jo në interes të grupeve politike. Besoj fuqishëm që një shërbim civil i fortë dhe i pavarur është themeli për një shtet të qëndrueshëm, që bazohet në parimet e sundimit të ligjit dhe transparencës”, shkroi ai.
“Edhe pse unë, kam kundërshtuar këtë ndryshim në disa raste, e dimë se pas disa tentativave për kontroll të shërbimit civil, ky vendim është pranuar. Megjithatë, unë do të angazhohem për të rikthyer garancitë e plota për shërbimin civil. Do të punoj që ato të sigurohen dhe të ruajnë administratën tonë të pavarur, moderne, profesionale dhe të depolitizuar”, shtoi Tahiri.
Angazhimi i tij në këtë drejtim, ai tha se është “për një administratë të fuqishme dhe të pavarur, pa ndikime të jashtme, dhe për mbrojtjen e këtyre garancive të domosdoshme për stabilitetin dhe zhvillimin e Kosovës”.