Një muaj paraburgim i është caktuar një të mituri që dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë”.
Ai dyshohet se pas një mosmarrëveshje me një person në “Snapchat” e ka therë tri herë me thikë atë.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamenti për të Mitur – Shabi Idrizi, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i arsyeshëm se me datë 27.04.2025, rreth orës 15:10, në një rrugë në Ferizaj, përkatësisht përballë shkollës se mesme të mjekësisë, i mituri me dashje ka tentuar që ta privojë nga jeta të dëmtuarin e mitur, në atë mënyrë që, pas një mosmarrëveshje të mëhershme, përmes rrjetit social “snapchat”, dhe me tu takuar në oborrin e shkollës së lartcekur, i mituri paraprakisht kishte siguruar një mjet të mprehtë-thikë, mjet ky i përshtatshëm për shkaktimin e lëndimit të rëndë trupor apo dëmtimin e shëndetit, ku fillimisht e ofendon me fjalë banale të dëmtuarin, e më pas e godet tre herë radhazi me thikë në pjesën e gjoksit dhe krahut, për çka i njëjti si pasojë e këtyre goditjeve pëson lëndime të rënda trupore, e për ato lëndime posedon edhe raport mjekësor të datës 27.04.2025, lëshuar nga Spitali i Përgjithshëm, Qendra Emergjente në Ferizaj, e për shkak të gjendjes kritike shëndetësore, i njëjti transferohet menjëherë në QKUK në Prishtinë.”