FC Barcelona ka filluar tashmë të hartojë planin e saj për sezonin e ardhshëm, dhe një nga çështjet që po shqyrtohet nga drejtuesit sportivë është përforcimi i krahut të majtë të mbrojtjes.
Sipas mediave gjermane, klubi “Blaugrana” ka treguar së fundmi interes për situatën e Alejandro Grimaldo-s, i cili aktualisht po shkëlqen te Bayer Leverkusen.
I formuar në akademinë “La Masia”, Grimaldo ka shprehur në disa raste dëshirën për t’u rikthyer në “Camp Nou”. Pas një periudhe të suksesshme te Benfica, ku u afirmua si një nga mbrojtësit e majtë më të mirë në Evropë, ai iu bashkua skuadrës gjermane në vitin 2023 dhe ka ruajtur një nivel shumë të lartë si në Bundesliga, ashtu edhe në Ligën e Kampionëve.
Me kontratë deri në vitin 2027, transferimi i tij do të kushtonte rreth 35 milionë euro – një shifër që aktualisht konsiderohet e lartë nga drejtuesit e Barcelonës.
Sipas “BILD”, Grimaldo, 29 vjeç, është një preferencë e drejtorit sportiv Deco, i cili e ka ndjekur zhvillimin e tij edhe më parë. Megjithatë, klubi katalanas vazhdon të mbështesë fuqimisht Alejandro Balde-n si lojtarin kryesor për krahun e majtë, pasi i ka rinovuar kohët e fundit kontratën.
Për më tepër, talente të rinj si Gerard Martín dhe Jofre Torrens, si dhe lojtari i huazuar Álex Valle, janë gjithashtu pjesë e planeve afatmesme.
Operacioni për Grimaldo nuk do të jetë i lehtë, por interesi është i vërtetë. Eksperienca dhe forma aktuale e bëjnë atë një opsion shumë tërheqës për Barcelonën, që synon të vazhdojë të forcojë skuadrën me lojtarë të dëshmuar. Ndërkohë, po punohet edhe për të sjellë një mbrojtës të djathtë të nivelit të lartë, për t’i dhënë më shumë pushim Jules Koundé-s, i cili ka akumuluar shumë minuta këtë sezon.
E ardhmja e Grimaldo-s mund të lidhet sërish me Barçën – gjithçka do të varet nga kushtet financiare./GazetaExpress/