Një teori e re dhe e diskutueshme për mënyrën se si ka nisur universi hedh poshtë bindjen e përhapur se gjithçka filloi me një shpërthim gjigant kozmik, të njohur si Big Bang.
Një shkencëtar sugjeron se kozmosi është zgjeruar përmes shpërthimeve të shpejta dhe të shumta, e jo përmes një shpërthimi të vetëm të madh.
Ky shpjegim alternativ, i publikuar nga profesori Richard Lieu nga Universiteti i Alabamës në Huntsville, sfidon njërën nga teoritë më themelore dhe më të hershme në të gjithë kozmologjinë.
Lieu argumenton se secili nga këta shpërthime, të quajtura “singularitete të përkohshme”, ka lëshuar materie dhe energji të re në hapësirë – që më vonë u shndërruan në planete, yje, galaktika dhe gjithçka tjetër që ekziston.
Teoria e Big Bang-ut, në krahasim, propozon që universi filloi si një pikë e vogël, tepër e nxehtë dhe e dendur me materie dhe energji.
Ajo pikë pastaj shpërtheu dhe krijoi një përmbytje të materies dhe energjisë që u zgjerua me shpejtësi – dhe ende po zgjerohet sot – ndonëse shkaku i shpërthimit fillestar mbetet i panjohur.
Kjo ka qenë shpjegimi dominues për origjinën e universit që nga vitet 1960. Por, pavarësisht popullaritetit të saj, kjo teori sfidohet gjithnjë e më shumë nga kërkimet e reja mbi materien e errët dhe energjinë e errët – grimca të padukshme që shkencëtarët besojnë se përshkojnë universin.
Modeli i Big Bang-ut nuk funksionon pa praninë e këtyre grimcave misterioze, por deri më tani nuk është arritur të provohet ekzistenca e tyre.
Lieu beson se teoria e tij e kapërcen këtë kufizim, duke ofruar një kornizë të re për lindjen e universit që nuk kërkon materie të errët apo energji të errët.
Singularitetet e përkohshme të propozuara në punimin e tij të ri – të publikuar në revistën Classical and Quantum Gravity – nuk janë të kufizuara në një fillim shpërthyes të vetëm si Big Bang-u.
Në vend të kësaj, ato kanë vazhduar të lëshojnë shpërthime të energjisë dhe materies në kozmos gjatë gjithë historisë.
Ndikimi i tyre kolektiv ka shtyrë universin të zgjerohet, duke e përmbytur me materiet që formojnë strukturat kozmike që shohim sot.
Sipas Lieu-t, këto shpërthime të rastësishme ndodhin rrallë dhe në mënyrë të menjëhershme, duke u zhdukur para se të mund të zbulohen nga teknologjitë aktuale, si teleskopët.
Kjo teori mund të shpjegojë strukturën e universit që vërejmë sot dhe arsyen pse ai po zgjerohet me shpejtësi, pa nevojën për materie të errët apo energji të errët.
Sipas teorisë së Big Bang-ut:
Materia e errët është “skeleti i padukshëm” që mban të lidhura strukturat e universit.
Energjia e errët është një forcë e padukshme që shtyn universin të zgjerohet gjithnjë e më shpejt.
Pa këto dy substanca të mistershme, teoria e Big Bang-ut fillon të shpërbëhet.
Për shembull:
Pa materie të errët, universi i hershëm nuk do të kishte pasur tërheqje gravitacionale të mjaftueshme që të formohen galaktikat kaq herët, siç tregojnë vëzhgimet moderne.
Energjia e errët është e domosdoshme për të shpjeguar pse shkalla e zgjerimit të universit është në rritje – besohet se vepron si një forcë shtytëse që e shtrin kozmosin gjithnjë e më shumë.
Pra, supozimi se këto forca tërheqëse dhe shtytëse ekzistojnë është esencial për ta bërë teorinë e Big Bang-ut të përputhet me atë që shohim realisht në univers.
Lieu përpiqet ta ristrukturojë modelin e universit në mënyrë që të përputhet me ligjet e njohura të fizikës dhe me të dhënat e vëzhguara, pa u mbështetur në forca që nuk janë provuar ende.
Por, edhe pse singularitetet e tij të përkohshme janë një alternativë interesante, edhe kjo teori ka kufizimet e saj.
Së pari, këto shpërthime të shpejta dhe të rralla janë të paobservueshme për momentin. Ashtu si materia dhe energjia e errët, nuk ka prova të drejtpërdrejta për ekzistencën e tyre.
Për më tepër, ka më shumë prova të tërthorta për materien dhe energjinë e errët sesa për singularitetet e përkohshme.
Teoria e Lieu-t nuk e shpjegon se çfarë i shkakton këto singularitete, dhe ajo ende duhet të vërtetohet me të dhëna eksperimentale.
Për të arritur këtë, ai planifikon të përdorë teleskopë në tokë për të kërkuar “kërcime” në redshift – një fenomen ku drita nga një objekt i largët zhvendoset drejt skajit të kuq të spektrit të dritës ndërsa objekti largohet.
Astronomët përdorin redshift-in për të llogaritur shkallën e zgjerimit të universit – dhe “kërcimet” në redshift mund të mbështesin pretendimin e Lieu-t se shpërthimet e shkurtra të energjisë janë duke nxitur zgjerimin e universit. /GazetaExpress/