Sindikata e Re e KEK-ut ka paralajmëruar protestë për ditën e punëtorëve, më 1 Maj, duke kërkuar rritje pagash dhe kushte më dinjitoze pune për të gjithë punonjësit e Korporatës Energjetike të Kosovës.
Sipas njoftimit të publikuar nga kjo sindikatë, protesta do të mbahet të mërkurën, në ora 12:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Përmes këtij mobilizimi, punëtorët synojnë të ngrenë zërin për punën e tyre të përditshme, e cila, siç thuhet në komunikatë, është e ngarkuar me lodhje, rrezik dhe sakrificë që nuk paguhet siç duhet.
“Ja pse punëtorët e KEK-ut meritojnë rritje pagash! Kjo punë nuk ka para që mund ta paguajë – është lodhje, është rrezik, është sakrificë çdo ditë,” thuhet në thirrjen e Sindikatës së Re të KEK-ut.
Organizatorët theksojnë se kërkesa kryesore është një pagë dinjitoze dhe respekt për punën që bëhet në sektorin energjetik, që konsiderohet një nga sektorët më të rëndësishëm në vend.