Derisa liderët evropianë po përpiqen ta organizojnë një mision paqeruajtës në një kohë kur presidenti amerikan, Donald Trump, po tenton ta arrijë një marrëveshje për armëpushim mes Moskës dhe Kievit, thuhet se Pekini mund të dëshirojë të luajë rol në ruajtjen e paqes.
Gazeta gjermane, Die Welt, citoi më 22 mars diplomatë anonimë të Bashkimit Evropian, të cilët thanë se homologët e tyre kinezë kanë shprehur interes për të shqyrtuar mundësinë nëse paqeruajtësit e tyre mund të jenë pjesë e një force më të gjerë, e cila po shqyrtohet në kryeqytetet evropiane.
Kjo ide u ngrit më herët këtë vit në Forumin Ekonomik Botëror dhe në Konferencën e Sigurisë në Munih.
Diplomatët e BE-së i thanë gazetës gjermane se pjesëmarrja kineze në një mision të tillë “mbase mund ta rrisë mundësinë që Rusia ta pranojë praninë e forcave paqeruajtëse në Ukrainë”.
Por, Pekini e hodhi poshtë këtë pretendim, sepse zëdhënësi u Ministrisë së Jashtme të Kinës, Guo Jiakun, e quajti të rrejshëm lajmin më 24 mars.
Tre diplomatë të BE-së, të cilët folën për Radion Evropa e Lirë në kushte anonimiteti, thanë gjithashtu se nuk ka pasur asnjë diskutim me zyrtarët kinezë për pjesëmarrjen e Pekinit në një forcë paqeruajtëse.
“Nuk ka pasur asnjë kontakt për këtë çështje”, tha një diplomat i BE-së.
Një tjetër diplomat i BE-së, që foli në anonimitet, tha se nuk ishte në dijeni që Pekini e ka ngritur çështjen e paqeruajtësve kinezë, duke shtuar: “Nuk e dimë nga e ka marrë informacionin artikulli i Welt”.
Kjo ndodhi derisa liderët evropianë po përpiqen t’i shtjellojnë hollësitë e asaj që quhet “koalicioni i vullnetit”, i udhëhequr nga Britania e Madhe dhe Franca, për ta ndihmuar Ukrainën ta parandalojë ripushtimin nga Rusia pasi të jetë arritur një marrëveshje për paqe.
Theresa Fallon, drejtoreshë e Qendrës për Studime mbi Rusinë, Evropën dhe Azinë me bazë në Bruksel, thotë se ka “shumë për të vënë në pikëpyetje” rreth thashethemeve të fundit mbi paqeruajtësit kinezë dhe se kjo pasqyron pasigurinë me të cilën përballet kuadri i sigurisë evropiane, ndërsa administrata e Trumpit po ndryshon qasje për të akomoduar Rusinë, duke refuzuar njëkohësisht kërkesat për të kontribuar me trupa amerikane për zbatimin e një marrëveshjeje paqeje.
“Pse do të dëshironte Rusia trupa kineze atje? Si do të përfitonte Kina nga kjo?” tha Fallon për Radio Evropa e Lirë.
“Mund të fitojë pikë me evropianët, por fakti që Kina e mohoi këtë ndoshta tregon një pamje më të gjerë strategjike – që Moska ka plane të ndryshme për Ukrainën dhe gjithashtu preferon ta kufizojë ndikimin e Kinës në rajon”, shtoi ajo.
Pse po përmendet dërgimi i paqeruajtësve kinezë në Ukrainë?
Kjo nuk është hera e parë që përmendet vendosja e një force paqeruajtëse kineze në Ukrainë.
Zhou Bo, ish-kolonel i lartë në Forcat e Armatosura Kineze, sugjeroi në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Munih në shkurt se Kina mund ta udhëheqë një forcë paqeruajtëse të mbështetur nga OKB-ja në Ukrainë, nëse një e tillë do të krijohej, duke thënë se Pekini dhe fuqitë e tjera joperëndimore, si India, mund të luanin rol.
The Economist raportoi gjithashtu në janar se roli i mundshëm i paqeruajtësve kinezë në Ukrainë u përmend nga nënpresidenti amerikan JD Vance, i cili supozohet se u tha zyrtarëve evropianë se një forcë e përbërë vetëm nga trupa evropiane do të ishte më pak efektive në parandalimin e sulmeve të mëtejshme të Rusisë ndaj Ukrainës.
Një kontingjent paqeruajtës kinez u përmend gjithashtu si një opsion në takimin vjetor të Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, në janar, nga Wolfgang Ischinger, ish-diplomati gjerman që shërben si president i fondacionit që organizon Konferencën e Sigurisë në Munih.
Një pjesë e argumentit të Ischingerit në atë kohë ishte se Evropa thjesht mund të mos ketë mjaftueshëm trupa për ta ruajtur paqen përgjatë vijës së frontit prej më shumë se 1.000 kilometrash.
Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS) tha në një raport se një forcë prej deri në 30.000 trupa, e mbështetur nga artileri me rreze të gjatë veprimi dhe me mbështetje më të gjerë ajrore dhe detare, do të ishte e aftë ta përballonte më shumë se një ndërhyrje ruse nëse Moska do të përpiqej ta shkelte marrëveshjen për paqe.
Megjithatë, IISS vlerësoi se do të nevojiteshin 60.000 deri në 100.000 trupa për të kryer luftime të vazhdueshme dhe me intensitet të lartë në terren, duke shtuar se ushtritë evropiane mund të mos jenë në gjendje ta grumbullojnë një forcë të tillë, pasi kjo do të shteronte burimet nga pjesa tjetër e kufijve të NATO-s me Rusinë.
A mund të kryejnë punë paqeruajtësit kinezë në Ukrainë?
Një tjetër shqetësim i madh është se trupat evropiane të dislokuara në Ukrainë mund të përfshihen në një luftë të drejtpërdrejtë me Rusinë, pa pasur një mbështetje të konsiderueshme nga SHBA-ja. Moska gjithashtu ka refuzuar në mënyrë kategorike të pranojë trupa nga ndonjë vend anëtar i NATO-s në Ukrainë.
Analistët e shohin dislokimin e trupave paqeruajtëse kineze – së bashku me ato nga vende të tjera si India apo Brazili, të cilat kanë marrëdhënie më të ngrohta me Moskën – si një zgjidhje për këtë problem, duke argumentuar se forcat ruse do të kishin më pak gjasa t’i sulmonin ato.
Por analistët thonë gjithashtu se përfshirja e paqeruajtësve kinezë në diskutimin mbi Ukrainën ngre edhe pyetje të reja dhe të vështira: A do ta pranonte Pekini, që e sheh veten si një superfuqi në skenën globale, të ishte pjesë e një force të udhëhequr nga Evropa?
Kina do të duhej gjithashtu të marrë parasysh se kontributi me paqeruajtës në një mision perëndimor mund të dëmtojë marrëdhëniet e saj të çmuara me Moskën, të cilat janë forcuar që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.
Yurii Poita, ekspert për marrëdhëniet Ukrainë-Kinë në Qendrën e Kievit për Studime mbi Ushtrinë, Konvertimin dhe Çarmatimin, thotë se Ukraina mund të mos kundërshtojë paqeruajtësit kinezë, pasi ka një pozicion të dobët në negociata. Megjithatë, Kievi ka pak besim te Pekini, duke qenë se ai mbështet përpjekjet luftarake të Rusisë.
“Faktori më vendimtar është Amerika. Nëse Uashingtoni do të sugjeronte që Kina duhet të jetë pjesë e këtij mekanizmi sigurie, atëherë Kievi nuk ka shumë opsione të tjera”, i tha Poita Radios Evropa e Lirë.
Që nga pushtimi rus i Ukrainës tri vjet më parë, Kina kryesisht e ka injoruar Ukrainën dhe ka qenë mbështetëse thelbësore e Rusisë. Pekini është deklaruar neutral dhe madje propozoi një plan paqeje në shkurt 2023, por e ka ndihmuar Moskën duke blerë nga ajo naftë dhe gaz dhe duke i shitur teknologji për armë.
“A do t’i ofronte Kina informata Rusisë? A do ta shfrytëzonte këtë dislokim në këmbim të qasjes në teknologjinë ushtarake apo rrjetet e telekomunikacionit?” pyeti Poita. “Ka shumë rreziqe këtu”. /REL