Jeton Abazaj, i cili deri vonë ka qenë drejtor për financa në Komunën e Pejës, ka thënë se përqindjet e paraqitura të investimeve kapitale si sukses të disa komunave nuk janë reale.
Kjo për faktin se këto përqindje janë rritur edhe për shkak të proceseve përmbarimore dhe nuk tregojnë gjendjen reale, sepse qytetari nuk i ka parë gjithë këto investime.
“Po e marr një shembull te Komuna e Pejës ku 13 milionë euro kanë qenë të planifikuara, prej tyre 3.1 milionë janë ekzekutuar me vendime gjyqësore, dmth 3 milionë euro qytetarët e Pejës nuk i kanë pa në terren. Janë 10 milionë euro investime për të mirën e qytetarëve, e jo 13 siç shihen në materiale. Në vitet e kaluara ka qenë më mirë, derisa kemi një rënie në vitin e fundit. Njëjtë ka ndodhur edhe në shumë komuna tjera”, ka pohuar Abazaj.
Për Abazajn, shumë komuna edhe kanë dështuar në realizimin e investimeve kapitale, pasi që me miliona euro janë bartur nga viti në vit.
“E kemi Komunën e Gjilanit, p.sh., që 5 milionë euro ka realizuar investime kapitale, por edhe 5 milionë të tjera i ka bartur në vitin tjetër. Njëjtë ka ndodhur edhe në Prishtinë – për dy vite ka bartur mbi 28 milionë euro, dhe kjo ndodh edhe për shkak të mosplanifikimit të mirë nga ana e tyre”, ka thënë Abazaj.
Abazaj ka shtuar se edhe përkundër shumë telasheve, niveli komunal ka performuar shumë më mirë se niveli qendror.