Abdixhiku: Kryeveprat e Kadaresë do të mbesin gjithmonë referenca për kulturën e letërsinë - ikonë, mjeshtër i papërsëritshëm - Gazeta Express
string(121) "abdixhiku-kryeveprat-e-kadarese-do-te-mbesin-gjithmone-referenca-per-kulturen-e-letersine-ikone-mjeshter-i-paperseritshem"

Abdixhiku: Kryeveprat e Kadaresë do të mbesin gjithmonë referenca për kulturën e letërsinë – ikonë, mjeshtër i papërsëritshëm

Lajme

Gazeta Express

01/07/2024 12:19

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka shkruar një telegram ngushëllimi për vdekjen e shkrimtarit Ismail Kadare.

Abdixhiku shkruan se Kadare ” i ka dhënë nder e dinjitet të përbotshëm artit, kulturës dhe gjuhës shqipe”.

Lexo Edhe:

“Sot bota shqiptare u zgjua në zi. U nda nga jeta Ismail Kadare, shkrimtari i përmasave ndërkombëtare, ai i cili për shumë dekada i dha letërsisë shqipe dhe asaj botërore kryevepra, që do mbesin gjithmonë referenca për kulturën dhe letërsinë, si vlera universale që kapërcejnë kufijtë nacional. Kolosi Ismail Kadare, përmes veprave të tij, i ka dhënë nder e dinjitet të përbotshëm artit, kulturës dhe gjuhës shqipe”, shkroi ai.

“Ai ka paraqitur tablon e errët nëpër të cilën ka kaluar Shqipëria komuniste, vuajtjet, sakrificat, por edhe vlerat e mirëfillta shqiptare. Ai përmes mijëra faqeve të shkruara ka promovuar traditën dhe kulturën shqiptare në botë, duke i dhënë një vlerë të shtuar jo vetëm letërsisë shqipe, por edhe mbarë kontinentit dhe më gjerë”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.

Abdixhiku shkruan se “Kadare do të mbetet ikonë e letërsisë, mjeshtër i papërsëritshëm, një intelektual i shquar, një patriot i përkushtuar dhe një zë i fuqishëm që përfaqësonte denjësisht Shqipërinë në botë”.

“Nga sot Shqipëria dhe bota e letërsisë humbën një personalitet të madh, i cili u shua vetëm fizikisht por vepra e tij është e përjetshme; siç dhe emri e kontributi i tij në kulturën dhe letërsinë botërore do të mbetet i përjetshëm”.

Në telegramin e ngushëllimit thuhet gjithashtu se në LDK kujtojnë “me mirënjohje angazhimin e tij të palodhshëm për çështjen e Kosovës, kontributi i të cilit është i paçmueshëm”.

“Në emrin tim personal dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë, komunitetin letrar dhe gjithë shqiptarëve kudo që janë. Dritë pastë shpirti i tij!”.