Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, ka marrë pjesë në hapjen e punimeve të Kongresit të EPP’së, ku ka mbajtur një fjalë rasti.
Ai ka thënë se aty ka folur për zhvillimin e Kosovës, popullin e mrekullueshëm.
“Ju fola për zhvillimin e Kosovës. Për popullin e mrekullueshëm tonë. Për fatin tonë të mbarë të ardhëm që asgjë nuk do ta ndalë më!”
Abdixhiku ka folur edhe për “pengesat agresive të Serbisë” ndaj Kosovës.
“Ju fola për pengesat agresive të Serbisë ndaj Republikës sonë e vet ekzistencës sonë; siç dhe bëra thirrje për njohjen e 5 shteteve mosnjohëse nga BE, përfshirë dhe vet Spanjën, mikëpritësin e këtij Kongresi të familjes më të madhe evropiane.”
Fjala e plotë e Abdixhikut:
Zonja dhe zotërinj,
Delegatë të nderuar, miq të dashur të Partive Popullore Evropiane,
Është një nder i veçantë të qëndroj sot para jush në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës – një parti e lindur nga rezistenca, e udhëhequr nga parimet dhe e orientuar nga vizioni.
I tillë është dhe vendi im, Republika e Kosovës.
Sot ju flas jo vetëm si kryetar i LDK-së, por edhe si një qytetar i një vendi të vogël, me një ëndërr të madhe evropiane – një ëndërr e lindur në sakrificë, e ushqyer në shpresë dhe e bartur përpara nga një brez, brezi im, që beson në ndërtimin e së ardhmes përmes paqes, demokracisë e bashkimit me vet Perëndimin.
Një çerek shekulli më parë, në kohët më të errëta të historisë sonë, Evropa qëndroi krah nesh. Në fund të viteve ’90, kur Serbia dhe regjimi i Millosheviqit zhvilloj luftë e agresion ndaj popullit të Kosovës, duke synuar spastrimin etnik tonin, demokracitë perëndimore, Bashkimi Evropian dhe NATO, u rreshtuan në anën tonë.
Ju qëndruat me ne jo për interesa pushteti apo territori, por qëndruar për parime. Kosova u bë vendi ku liria triumfoi mbi frikën dhe ku solidariteti perëndimor gjeti qartësinë e vet morale.
Dhe më lejoni ta theksoj dhe këtë: derisa sot Ukraina përballet me një agresion po aq të egër, Kosova qëndron edhe një herë në anën e atyre që luftojnë për të drejtën e tyre për të ekzistuar. Ne e dimë çfarë do të thotë të mbetesh në errësirë — dhe çfarë duhet për të ecur drejt dritës, dorë për dore me miqtë dhe aleatët. Le të shpresojmë, dhe të punojmë, që aleatët tuaj do të mbeten të palëkundur në anën e duhur të historisë. Kosova, qëndron në anën e duhur të historisë!
Dhe përderisa vendi im ka ecur përpara – duke përqafuar demokracinë, ndërtuar institucione, dhe përafruar çdo politikë me shpirtin evropian – ne ende mbahemi pas nga një konflikt i vjetëruar; dhe bashkë me të, nga një mentalitet i vjetëruar; që edhe pas 25 vitesh nga lufta, vazhdon të fryjë mbi qafën tonë.
Përballë nesh qëndron një fqinj që refuzon të ndryshojë; që vazhdon të jetë i kapur nga e kaluara, që e mohon të vërtetën, që nxit plot urrejtje, që mbronë e strehon gjithë ata që kërcënojnë paqen; një fqinj që një çerek shekulli pas, vazhdonë të mohojë të drejtën tonë për të ekzistuar.
Por le rë jetë e qartë:
Jo vetëm që ekzistojmë – ne po lulëzojmë.
Republika e Kosovës po lulëzon!
Si një shtet sovran, si një demokraci funksionale dhe si një shoqëri që synon integrimin e plotë evropian – ne po ecim përpara dhe nuk do të ndalemi.
Kemi një detyrim moral dhe demokratik që brezave të rinj t’u sigurojmë një të ardhme në paqe dhe mirëqenie. Dhe ajo e ardhme është në Evropë, krahas kombeve që ndajnë vlerat dhe idealet e njejta me ne.
Prandaj, edhe një herë, i bëj thirrje Evropës:
Qëndroni me ne.
Ndihmoni në çuarjen përpara të kësaj misioni të përbashkët.
Kjo betejë e jona, nuk është vetëm sfidë e Kosovës – është edhe e kontinentit tonë. Çdo përpjekje për të vonuar rrugëtimin evropian të Kosovës është, në thelb, një sfidë ndaj idesë së një Evrope të bashkuar, të lirë dhe të plotë.
Për ato pak shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës – kanë kaluar 25 vjet. Është më se e mjaftueshme. Ne e kemi fituar vendin tonë – përmes reformave, përmes qëndrueshmërisë e përmes një besimi të palëkundur në rrugën evropiane.
Dua gjithashtu ta shtrij apelin tim edhe për rajonin tonë si tërësi. Ballkani Perëndimor nuk duhet të mbetet më çështje e papërfunduar e Evropës. Ne nuk kërkojmë të shihemi si oborr i pasëm. Ne jemi partnerë të barabartë – gati për të kontribuar, gati për të ndërtuar dhe gati për t’i përkitur.
Duke luftuar për Ballkanin Perëndimor, ju dhe ne së bashku, luftojmë për Evropën! Dhe ne duhet të luftojmë për Evropën – atë Evropë në të cilën gjithmonë kemi besuar.
Sepse ajo është shtëpia jonë.
Është e ardhmja jonë.
Këtë vit, më shumë se kurrë, na është bërë e qartë se Evropa ka nevojë për bashkim dhe qëndrueshmëri. Dhe ne, ose do të qëndrojmë të bashkuar për të realizuar ëndrrën evropiane për të gjitha kombet e këtij kontinenti, ose do të përballemi me rrezikun e përçarjes dhe humbjes së rëndësisë globale.
Ne, si shteti më i ri në Evropë, e kemi bërë zgjedhjen tonë. Tani, ju – themeluesit e kësaj ëndrre – duhet ta ripohoni tuajën.
Të mos harrojmë: Bashkimi Evropian lindi nga hiri i luftës, u formësua nga guximi dhe u udhëhoq nga vizionarë që besuan në diçka më të madhe se vetvetja.
Është koha të rindërtojmë këtë ëndërr dhe mbi të gjitha të rikthejmë atë guxim, në mbrojtjen e Evropës, në përbashkimin e Evropës.
Kosova qëndron sot para jush, jo si një vend që kërkon favore – por si një partner që ofron diçka të fuqishme: ofron besim!
Besim në demokraci.
Besim në paqe.
Dhe besim në idenë e përjetshme të Evropës.
Faleminderit.
Zoti e bekoftë EPP-në!