Ukraina pret të nënshkruajë një marrëveshje të shumëpritur për mineralet me Shtetet e Bashkuara të mërkurën, tha një burim i lartë në presidencën ukrainase për AFP.
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e ekonomisë Yulia Svyrydenko do të jetë më vonë në Uashington për të nënshkruar marrëveshjen, draftin përfundimtar të së cilës qeveria ukrainase ende “duhet ta miratojë”, tha burimi, duke shtuar se marrëveshja parashikon një fond të përbashkët “50/50” midis Kievit dhe Uashingtonit.
Reuters kujtoi se të dyja palët nënshkruan një memorandum më 18 prill si një hap fillestar drejt arritjes së një marrëveshjeje mbi zhvillimin e burimeve minerale në Ukrainë.
Zyrtarët ukrainas shpresojnë se nënshkrimi i marrëveshjes së promovuar nga Presidenti amerikan Donald Trump do të ndihmojë në forcimin e mbështetjes amerikane për Kievin, e cila është zbehur, në luftën e shkaktuar nga pushtimi i plotë i Rusisë më shumë se tre vjet më parë, shtoi Reuters./Express/