Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë njoftoi se kanë kryer kontrolle të jashtëzakonshme dhe të intensifikuara në prag të festave të Pashkëve, transmeton Portalb.mk.
Nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) theksojnë se në kuadër të 350 inspektimeve te operatorët ushqimor, kanë zbuluar dhe asgjësuar 1.230 kg produkte, shumica e të cilave mish, produkte dhe preparate të mishit, por edhe vezë, bojëra, mjaltë, raki, vaj ulliri dhe produkte të tjera.
Për mospërputhjet e konstatuara me kontrollet e jashtëzakonshme janë shqiptuar gjoba në vlerë prej 3.650 euro në kundërvlerë të denarit dhe janë shqiptuar 22 vendime.
“Në kushtet e rritjes së kërkesës për ushqime në prag të festave të ardhshme, apelojmë qytetarët që të jenë konsumatorë të përgjegjshëm dhe të bëjnë blerje vetëm nga operatorët e aprovuar, të regjistruar të ushqimit që janë nën kontrollin e shërbimeve inspektuese të Agjencisë. Kushtojini vëmendje deklaratave të produkteve, etiketimit të tyre, datave të skaduar dhe regjimit të temperaturës së ruajtjes, veçanërisht për produktet që prishen, sepse në të kundërt mund të jenë të pasigurta për qytetarët”, thanë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinaris
Ndryshe, më 31 mars pas denoncimit nga punonjësit e policisë gjatë kontrollit rutinë të një automjeti pasagjerësh Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, kanë sekuestruar 250 kilogramë ushqime pa afat në Shkup, në një sasi të konsiderueshme të produkteve të ëmbëlsirave pa afat.