Mbrëmë në emisionin “Favorit” në T7, menaxheri që bashkëpunon me disa klube të njohura, Serxhio Mezi, foli rreth Edon Zhegrovës, duke thënë se mund ta konfirmojë interesimin e Napolit dhe Barcelonës për yllin kosovar. Ky lajm sot u përhapë edhe në mediat e njohura spanjolle.
Gazeta Express ka kontaktuar me ekipin zyrtar menaxhues të Edon Zhegrovës, “HCM Sports” për të marrë informata tjera rreth së ardhmes së yllit kosovar të Lillet.
Por, nga ky agjension menaxhues të Zhegrovës i thanë Express’it se këto lajme ka kohë që qarkullojnë, madje janë konfirmuar e raportuar edhe nga gazetari i njohur Fabrizio Romano.
Por sipas tyre, ekipi menaxhues nuk do të komentojë deklarata e as raportime të askujt derisa lajmin e madh të ardhshëm ta konfirmojë vet ky agjension.
“Ka shumë klube në opsione, por plani i parë i jonë është mbyllja e kontratës me Lille”, deklaroi “HCM Sports” për Express.
“Ne si agjencion i kemi opsionet në dorën tonë, por për ne rëndësi ka më e mira për Edonin, pra klubi ku ai do të ndihet dhe përshtatet më së miri, aty ku do të luajë 90 minuta, aty ky trajneri dhe tifozët kanë pritshmëri e ambicie nga Edoni”, pohon “HCM Sports”.
“Andaj, presim mirëkuptimin e mediave dhe gjitha palëve tjera që të jenë sa më të kujdesshëm në raport me punlikun sepse në kohë reale “HCM Sports” do të njoftojë me të rejat e rëndësishme”, thanë nga ekipi menaxhues.