Laert Haxhiu, i shpallur në kërkim për vrasjen e dyfishtë të ndodhur në vitin 2017 në Lushnjë, është arrestuar në Greqi ku qëndronte i “maskuar” me dokumente të falsifikuara. Në lejen e qëndrimit greke, ai mbante identitetin si Mikis Askalidis, 32 vjeç, lindur në Gjeorgji.
Si ndodhi arrestimi?
Policia greke ka tentuar mbrëmjen e së hënës të ndalojë një automjet në fshatin Eleousa, Janinë, në afërsi të kufirit greko-shqiptar. Në këtë makinë ishte Haxhiu i cili kishte kaluar kufirin shqiptaro-grek dhe po tentonte të futej në Greqi.
Drejtuesi i mjetit tip BMW X5 nuk i bindet policisë, shton shpejtësinë dhe largohet. Gjatë ndjekjes godet tre mjete të tjera dhe pasi çan gomën në një bordurë, bllokohet në semafor në rrugën “Vorio Eipiro” të Janinës me airbagë të hapur.
Forcat e policisë kanë ndërhyrë menjëherë duke vënë më pranga tre personat që ndodheshin në makinë. Pas shoqërimit në Komisariatin e Janinës, ka rezultuar se njëri prej tyre ishte Laert Haxhiu. Arrestimi i tij u bë pas informacioneve të marra nga nga policia shqiptare e cila ia ka përcjelle me pas homologeve grekë. Ndonesë ishte i shpallur prej vitesh e kërkim ndërkombetar Laert Haxhiu jetonte i qetë fare pranë kufirit me Shqipërinë.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, në vitin 2017, e ka dënuar Laert Haxhiun për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Po ashtu Laert Haxhiu është marrë i pandehur dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga GJKKO për masakrën e Lushnjës në 2017, ku vranë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, por u shpëtoi shënjestra, Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, kreu i bandës së Lushnjes.
/Gazeta Express