Sipas burimeve nga Franca, mbrojtësi i Paris Saint-Germain, Lucas Hernandez, dhe bashkëshortja e tij Victoria Triay janë përballur me akuza serioze për trafikim njerëzor dhe punësim të paligjshëm.
Mediat franceze raportojnë se një familje kolumbiane – një baba, bashkëshortja e tij dhe tre fëmijët – ka punuar për çiftin nga shtatori i vitit 2024 deri në nëntor 2025 pa status të rregullt ligjor.
Sipas avokates së familjes, kontratat e punës janë nënshkruar vetëm në tetor 2025, pas një konflikti të ashpër mes Victorias Triay dhe punonjëses Marie, e cila së bashku me nënën e saj kryente detyra si shtëpiake, kuzhiniere dhe dado.
“Një ditë ajo filloi të më bërtiste dhe më tha: ‘Po largohesh nga shtëpia’”, ka deklaruar Marie për mediat franceze. Ajo pretendon se gjatë periudhës së punës ishte nën presion të vazhdueshëm, me kërcënime se nuk do të gjente më punë dhe se duhej të qëndronte në dispozicion 24 orë në ditë.
Sipas të njëjtave burime nga Franca, edhe pse familja nuk punon më për çiftin që nga muaji nëntor, presioni ka vazhduar. Marie ka deklaruar se i është thënë se do të deportohej përsëri në Kolumbi.
“Ne u shfrytëzuam dhe u poshtëruam. Na paguan shumë më pak seç duhej dhe na premtuan legalizim që nuk erdhi kurrë,” ka theksuar ajo, duke shtuar se immigrantët trajtoheshin “si skllevër”.
Avokatja Lola Dubois, e cila përfaqëson familjen, ka deklaruar se sjellja e Lucas Hernandez “ngjan me forma të skllavërisë moderne”, duke e akuzuar futbollistin se ka kontribuar në mbajtjen e familjes në kushte të rënda ekonomike dhe sociale.
Nga ana tjetër, sipas revistës franceze Paris Match, agjenti i lojtarit Frank Hockmiller ka reaguar duke thënë se Hernandez dhe bashkëshortja e tij janë “në shok” dhe se nuk kishin dijeni për padinë.
Ankesat zyrtare janë depozituar pranë Prokurorisë së Versajës, e cila pritet të nisë hetimet për këtë çështje të ndjeshme që ka tronditur opinionin sportiv dhe publik në Francë. /GazetaExpress
Opel Corsa Hybrid Edition në Foleja Motors vjen si një zgjedhje ideale për ata që kërkojnë një veturë moderne,...