string(92) "albulena-haxhiu-deshton-serish-te-zgjidhet-kryetare-e-kuvendit-seanca-konstituive-nderpritet"

Albulena Haxhiu dështon sërish të zgjidhet kryetare e Kuvendit, seanca konstituive ndërpritet

Lajme

Gazeta Express

23/04/2025 10:32

Albulena Haxhiu sërish ka dështuar të zgjidhet kryetare e Kuvendit të Kosovës, ndërsa kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari e ndërpreu atë pas votimit.

57 deputetë votuan për, 46 ishin kundër, ndërsa tre abstenuan.

Lexo Edhe:

“Në bazë të rezultateve të votimit, nuk kalon kandidatja për kryetare dhe seanca ndërpritet”, tha kryesuesi Dehari.

Ai tha se seanca konstituive do të vazhdojë të premten në orën 10:00.

Të hënën seanca konstituive u ndërpre pasi nënkryetari i LVV-së, Glauk Konufca tha se nuk kanë hequr dorë nga propozimi i Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, dhe ai nuk u hodh për votim, pasi kryesuesit të seancës, Avni Dehari iu kërkua “kohë shtesë që të mos përsëritet situata e njëjtë”.

Konjufca tha se “kjo situatë politike nuk mund të zgjidhet përveçse me një marrëveshje politike”, ndërsa një takim konsultativ i partive politike u mbajt sot paraprakisht.

“Ne vazhdojmë ta mbajmë qëndrimin e njëjtë”, iu tha Albulena Haxhiu gazetarëve para takimit.

LVV-ja e propozoi atë për kryetare të Kuvendit të shtunën, por në dy tentativa dështoi të merrte më shumë se 57 vota. Paraprakisht, seanca konstituive e Kuvendit që nisi më 15 prill u ndërpre dy herë për shkak të mosmarrëveshjeve ndërmjet partive lidhur me dorëheqjet e qeveritarëve para betimit si deputetë.