string(115) "ambasada-e-shba-paralajmeron-qytetaret-shqiptare-mos-u-mashtroni-me-agjencite-qe-premtojne-viza-ne-kembim-te-parave"

Ambasada e SHBA paralajmëron qytetarët shqiptarë: Mos u mashtroni me agjencitë që premtojnë viza në këmbim të parave

Shqiperi

Gazeta Express

06/04/2025 12:03

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka publikuar një njoftim për të gjithë qytetarët që kërkojnë të aplikojnë për vizë amerikane, duke u bërë thirrje të shmangin konsulencat private që ofrojnë ndihmë kundrejt pagesës.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, ambasada nënvizon se shumë agjenci apo individë që pretendojnë se ndihmojnë në plotësimin e aplikimeve për vizë, janë thjesht një skemë mashtrimi që përfitojnë financiarisht, ndërsa aplikanti rrezikon shumë më tepër.

Lexo Edhe:

Mos i beso askujt që premton të të ndihmojë të marrësh një vizë amerikane në këmbim të parave. Agjencitë e vizave kanë si qëllim kryesor të fitojnë para, JO të të japin këshilla të mira”, thuhet në deklaratën zyrtare të ambasadës.

Sipas saj, nëse aplikimi plotësohet gabim ose përmban informacione të rreme, vetë qytetari është përgjegjës ligjërisht. Kjo mund të sjellë refuzimin e menjëhershëm të aplikimit, dhe në disa raste, edhe anulimin e vizave ekzistuese.

Ambasada bën apel për kujdes maksimal dhe i fton të interesuarit të mos shpenzojnë para për shërbime që mund t’i kryejnë vetë, falas.

“Kurseni paratë tuaja dhe shmangni mashtrimet – ne ofrojmë informacion të detajuar për ta plotësuar vetë aplikacionin tuaj pa kosto,” përfundon mesazhi i publikuar, duke ofruar edhe një link zyrtar për ndihmë: https://bit.ly/4lfcAJL

Fushata ndërgjegjësuese vjen në një kohë kur numri i rasteve të mashtrimeve për viza është në rritje, dhe shumë qytetarë bien pre e premtimeve të rreme, duke humbur jo vetëm para, por edhe mundësinë për të udhëtuar drejt SHBA-së.