Për herë të parë që kur u transferua nga Interi, portieri i Manchester United, André Onana, do të mungojë në një ndeshje të Premier League me vendim teknik, dhe jo për shkak të lëndimit apo pezullimit.
Vendimi është marrë nga trajneri Ruben Amorim, i cili ka vendosur ta lërë jashtë përballjes me Newcastle-n, për të qetësuar situatën dhe presionin që e rrethon portierin kamerunas.
29-vjeçari ka kaluar një javë për t’u harruar. Pas një përplasjeje me Nemanja Matić para ndeshjes së parë çerekfinale në Ligën e Evropës kundër Lyonit, Onana ishte drejtpërdrejt i përfshirë në të dy golat e pësuar nga skuadra e tij.
Mes kritikash të shumta nga tifozët dhe mediat, Amorim ka zgjedhur ta lërë Onanën jashtë përkohësisht, për t’i dhënë kohë të qetësohet dhe të rikuperohet larg vëmendjes së madhe.
Sipas The Athletic, vendimi është marrë që në mëngjesin e së dielës, dhe si rezultat, Altay Bayındır do të debutojë në Premier League, me Tom Heaton si rezervë. Kjo do të jetë vetëm paraqitja e shtatë për portierin turk këtë sezon, pasi më herët ka luajtur në dy ndeshje të Ligës së Evropës, një të FA Cup dhe tre të EFL Cup.
Onana, i transferuar në vitin 2023 nga Interi, ka pasur një periudhë të tronditur në “Old Trafford”, me luhatje të shumta në formë, megjithatë ka qenë titullar i rregullt në dy sezonet e fundit, duke regjistruar gjithsej 94 paraqitje deri më tani.