Në kryeqytetin spanjoll po flitet me zë të lartë nëse Real Madrid mund të shpëtojë sezonin e vet në finalen e Kupës së Mbretit, ku shpreson të mposhtë rivalët e përjetshëm të Barcelonës. Kjo finale mund të jetë gjithashtu vendimtare për të ardhmen e trajnerit Carlo Ancelotti, me shumë diskutime rreth javëve të fundit të mandatit të tij.
Për këtë arsye, formacioni që do të zgjedhë Ancelotti do të analizohet në detaje dhe do të jetë nën vëzhgim të rreptë. Pas humbjeve 4-0 dhe 5-2 në dy përballjet e fundit ndaj katalanasve, trajneri italian duhet të sjellë zgjidhje të reja përballë Blaugranëve. Pa Eduardo Camavinga, David Alaba, Dani Carvajal dhe Eder Militao, Ancelotti ka mungesa serioze në mbrojtje.
Francezi Camavinga pritej të luante si mbrojtës i majtë për t’u përballur me Lamine Yamal, por pas një dëmtimi serioz të tendinës, Ancelotti do të detyrohet të zgjedhë mes Fran Garcia ose Ferland Mendy. I pari nuk është parë si një zgjedhje për ndeshje të mëdha nga tekniku italian, por është në formë të mirë dhe ka treguar përmirësim këtë sezon. Nga ana tjetër, Mendy është rikthyer këtë javë pas një dëmtimi muskulor që e mbajti jashtë për një muaj, por megjithatë konsiderohet më i përshtatshëm për t’u përballur me sulmin e Barcelonës dhe gëzon besimin e Ancelottit.
Sipas gazetës “Marca”, Ancelotti do të zgjedhë Mendyn.
Ata raportojnë se tekniku ka parë mjaftueshëm gjatë stërvitjeve për ta përdorur atë dhe preferon përvojën e tij në vend të Garcias.
Kjo zgjidh një nga dilemat kryesore në formacionin e tij për finalen e Kupës, ndërkohë që Fede Valverde pritet të luajë në krahun e djathtë të mbrojtjes, dhe mesfusha do të përbëhet nga Aurelien Tchouameni, Jude Bellingham dhe Dani Ceballos.
Dilema e vetme e mbetur është nëse do të luajë Rodrygo Goes. Nëse braziliani vazhdon në sulm, do të thotë që do të luajë në krah në një skemë 4-4-2, ose që Bellingham do të tërhiqet më prapa në një mesfushë me tre. Alternativa tjetër për Ancelottin është të mbajë Bellingham më afër sulmit dhe të shtojë më shumë kontroll me veteranin Luka Modric në mesfushë.