Pas dy medaljeve të arta, është koha për të argjendtën.
Anton Cena është dashur të kënaqet me vendin e dytë në garën e notit në distancë prej 2000 metrash në Garat Evropiane të Policisë, Zjarrfikësve, Korrektuesve dhe Doganierëve.
Duke e pasur parasysh se gjithmonë synon të jetë i pari, veterani i xhudos nuk është ndier gjithaq i kënaqur me medaljen e argjendtë, shkruan “Gazeta Express”.
“Sot në disiplinën e notit, garë në gjatësi prej 2000 m, përkundër konkurrencës që ishte e fortë, arrita të dal i dyti duke e marrë medalen e argjendtë për dallim të vitit të kaluar që në të njëjtën disiplinë isha i pari. Po duket jam plakur. Pritjet e mia ishin më të mëdha, e anipse kësaj medaleje i dallon thuajse vetëm ngjyra sepse për nga merita është e të njëjtit nivel me të artën dhe të bronztën, unë prapë se prapë pretendova vetëm të artën”, shkroi Cena.
Sidoqoftë, ai e pranon me sportivitet këtë rezultat, ndërsa do të mundohet ta fitojë medaljen e katërt në disiplinën e notit në 4000 metra, ku natyrisht do ta synojë të artën.
Paraprakisht, i fitoi dy medalje të arta, në xhudo dhe në Brazilian Jiu-Jitsu, duke rrahur kundërshtarë shumë më të rinj, në mungesë të konkurrentëve veteranë..
Kjo garë po mbahet në Braga të Portugalisë, ndërsa Cena po mundohet ta promovojë dhe përfaqësojë sa më mirë Policinë e Kosovës, por edhe vetë shtetin e Kosovës. /Gazeta Express/
Pse të presësh, kur mundesh me hy direkt me Fast Lane? Si Sponsor Gjeneral i Sunny Hill Festival, Banka...