Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila më 20 shtator 2023 kishte liruar nga akuza 36 të akuzuarit në rastin e njohur si “Stenta 2”, të cilët ngarkoheshin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti.
“REFUZOHET si e pabazuar ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, … të datës 20.09.2023, VËRTETOHET”, thuhet në vendimin e Apelit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kundër vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Prokuroria Speciale ka ushtruar të drejtën e ankesës brenda afatit ligjor, përmes të cilës ka kërkuar që ai vendim të prishet dhe të akuzuarit të shpallen fajtorë ose çështja të kthehet në rigjykim.
Por, shkalla e dytë gjeti se ankesa e Prokurorisë Speciale është e pabazuar.
Arsyetimi i Gjykatës së Apelit:
Sipas vendimit të Apelit, dëshmitarët: A.O., A.U., N.D., B.H., I.S., M.H., S.R., F.K., D.B., Q.Y., F.G., F.U dhe D.T., kanë deklaruar se ata nuk janë të dëmtuar dhe nuk kanë parashtruar kërkesë pasurore-juridike.
Rrjedhimisht, Apeli vlerëson se përmes këtyre deklaratave të dëshmitarëve nuk mund të vërtetohet se të pandehurit kanë pasur qëllim të shkaktimit të dëmit qoftë ndaj pacientëve në raport me këta dëshmitarë apo qoftë ndaj buxhetit të vendit.
Ndërsa, dëshmitarët tjerë që kanë deklaruar se e ndjejnë veten të dëmtuar, nuk kanë dhënë sqarime se në çfarë drejtimi pretendohej dëmtimi i tyre, a ishte për shkak se nuk u janë aprovuar kërkesat apo ishte për shkak se ata vlerësojnë se nuk janë trajtuar mirë nga mjekët me rastin e trajtimit.
Gjithnjë sipas vendimit të Apelit, përmes provave materiale është vërtetuar fakti se pacientët që kanë kërkuar trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) kur kanë plotësuar kushtet ligjore kanë mundur të trajtohen jashtë vendit.
“…ndërsa këto prova vërtetojnë faktin së pacientëve që kërkonin trajtim në QKUK kur plotësonin kushtet ligjore ata mund të trajtoheshin në spitalet private”, thuhet në vendim.
Ndërkaq, lidhur me konstatimet e Inspektoratit Shëndetësor se klinikat private nuk kishin licencë, Apeli thekson se nuk mund që përgjegjësia t’iu njihet mjekëve pasi që ata kanë qenë vetëm mjekë nëpër ato klinika pa përgjegjësi tjera.
“Kolegji ka parasysh se provat e tilla nuk vërtetojnë asnjë nga faktet që do t\i ndërlidhnin të pandehurit me veprën penale, kjo pasi që rrjedhë se të pandehurit kishin cilësinë e Mjekëve në sektorin e spitaleve publike, dhe se ata nuk ishin as pronarë i ndonjë institucioni shëndetësor dhe njëkohësisht nuk rezulton se të njëjtit në cilësinë e mjekëve të mos kenë pasur licencë për ushtrimin e profesionit”, thuhet në vendimin e Apelit.
Gjithashtu, Apeli e ka gjetur si të drejtë vendimin e Themelores për masat e fshehta të hetimit dhe vëzhgimit, pasi që sipas kësaj Gjykate, tashmë është edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese që ka sqaruar se marrja e SMS nga operatorët e telekomunikimeve shkel të drejtën e privatësisë.
Apeli po ashtu ka theksuar në vendim se Prokuroria Speciale ka dështuar që të dëshmojë se cilat kompetenca i kishin tejkaluar të akuzuarit kur kishin lëshuar letrat referuese.
Gjithashtu, Apeli në vendim ka konstatuar se nuk është vërtetuar kryerja e veprës penale të marrjes së ryshfetit, pasi që nuk kishte shumë konkrete që të dëmtuarit kishin paguar dhe nuk dihet kur ishin paguar, apo nga kush ishin paguar ato mjete monetare.