Nga Ardian Vehbiu
Debatet e fundit për paketën antishpifje dhe raportet e pushtetit ekzekutiv me mediat e kanë risjellë në vëmendje të drejtën e fjalës (lirinë e shprehjes): deri ku mund të shkojë? Kush ose çfarë ka tagër ta kufizojë?
Mass mediat më parë dhe mediat sociale më pas kërkojnë riformulim të kësaj të drejte – e cila, në formën e saj elementare, nuk merr parasysh teknologjitë e amplifikimit. Për ta ilustruar: në sheshin ku janë mbledhur njerëz, atij që ka në dorë megafonin do t’i dëgjohet më shumë fjala.
Kjo kokëçarje nuk mënjanohet duke i pajisur të gjithë me megafonë: kakofonia e pengon fjalën e lirë po aq sa censura tradicionale. Kur të gjithë bërtasin, askush nuk flet dot dhe fjalës ia lë vendin pasthirrma.
Me promovimin e “paketës antishpifje”, pushteti në Tiranë reagoi gabim ndaj një problemi të mirëfilltë. Liria e shprehjes nuk mund të garantohet, përveçse duke u rregulluar me ligj hapësira e komunikimit publik; njëlloj siç ka nevojë të rregullohet me ligj çdo commons. Përndryshe, liria e skifterit nuk do të ketë të njëjtën vlerë me lirinë e pëllumbave, sidomos për pëllumbat. Për ta thënë ndryshe, kjo paketë nuk ka shans të japë efekt pozitiv në komunikimin publik; e shumta do t’i bëjë me hije të gjithë ata që nuk kanë gjetur (ende) vend nën sqetullat e majme të oligarkëve.
Dhe nëse e shohim nga kjo perspektivë, shkeljet më të mëdha të kësaj të drejte vijnë nga pushteti vetë – sa kohë që pushtetarët e lartë kanë monopolizuar ekranet dhe rrjetet sociale.
Nuk di nëse ka një institucion që t’ia numërojë minutat televizive kryeministrit Edi Rama; ose t’ia kufizojë daljet në publik, për hir të par conditio. Kjo edhe pa marrë fare parasysh ERTV dhe statusin e kësaj medie të çuditshme përkundrejt ligjit.
Ngjashëm mund të pyetet edhe për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj dhe raportet e tij me ekranet dhe mediat sociale në rrjedhë të viteve.
“Emergjenca televizive” e pushtetarëve të PS-së e kthen deri edhe rutinën e ekzekutivit në element të një fushate elektorale permanente, ndaj së cilës opozita nuk ka asnjë shans.
Dëshira e shumicës së sotme për ta mbajtur pushtetin është legjitime; por hapësira e komunikimit publik është e kufizuar, e fundme; njëlloj si kullotat e bagëtive, në shembullin klasik të tragedy of the commons.
Dhe kjo prishje e balancës nuk mund të zgjidhet duke i dhënë më shumë hapësirë opozitës; por, përkundrazi, duke e kufizuar me ligj praninë publike të pushtetarëve në mass mediat.
Dhe ky ligj, për mendimin tim, do të duhej miratuar para “paketave antishpifje” dhe masave të tjera gjysmake, kundër patologjive të njohura në mediat, që mund dhe duheshin trajtuar me vetë-rregullim dhe mobilizim për dinjitetin profesional të gazetarit (temë tjetër; vetërregullimi nuk vjen në vëmendje thjesht në përgjigje të një kërcënimi të jashtëm).
Më bëri përshtypje që, gjatë një tubimi tani së fundi të një lëvizjeje politike të re, të njohur në Itali si “le sardine”[1], një u kërkua me aklamacion përkora në sjelljet politike. Dhe pikërisht, për ta thënë me fjalët e njërit prej themeluesve të lëvizjes, Mattia Santori:
Kërkojmë që kush është zgjedhur, të bëjë politikë në hapësirën institucionale dhe jo në fushatë elektorale permanente.
Më tej:
Kërkojmë që çdo ministër të komunikojë vetëm në kanale institucionale. Kërkojmë transparencë në përdorimin që po ia bën politika rrjeteve sociale.
Më në fund:
Kërkojmë që të përjashtohet dhuna nga tonet dhe përmbajtja e politikës në çdo formë. Është koha që dhuna verbale të barazohet me dhunën fizike.
Kërkesat e “sardeleve” vijnë si reagim ndaj përdorimit, prej ish-ministrit të brendshëm Salvini, të televizionit dhe të mediave sociale dhe daljeve të tij të panumërta para publikut.
Por ato njëkohësisht provojnë se uzurpimi i mediave dhe teknologjive moderne të komunikimit nga politika nuk është as i majtë, as i djathtë në vetvete; dhe se, po nuk u pengua me mjete institucionale, ia dorëzon politikën populizmit.
Abuzimi i pushtetit të sotëm me mediat, shfrytëzimi shpesh i mençur por edhe më shpesh i paskrupullt i hapësirave të parregulluara me ligj dhe shpërfillja e filtrave institucionalë, në emër të kontaktit “drejtpërdrejt me popullin” – të gjitha këto e kanë rënduar shumë komunikimin publik, në Shqipërinë e viteve të qeverive Rama.
Ekspozimi mediatik i kryeministrit në ditët që menjëherë pasuan tërmetin e rëndë të 26 nëntorit madje tregoi se është në natyrën e pushtetit që të shfrytëzojë deri edhe fatkeqësitë natyrore, për t’iu imponuar publikut si i virtytshëm.
Unë nuk jam në gjendje të gjykoj nëse prania masive e kryeministrit Rama në televizion dhe në mediat sociale, pas 26 nëntorit, i shërbeu apo jo qetësimit të gjendjes dhe organizimit të ndihmave; sikurse nuk kam arsye të dyshoj se Rama vetë nuk u kursye, as fizikisht as mendërisht as emocionalisht, për t’iu ndodhur pranë të goditurve nga fatkeqësia dhe gjithë shqiptarëve të shokuar nga çfarë kish ndodhur.
Fëmija ka një bluzë tutash me “njeriun merimangë”. Por njeri merimangë u tregua, në ato ditë, vetë Rama.
Por janë pikërisht situata të tilla, kur edhe testohen institucionet dhe balancat e politikës. Dhe nëse është kështu, atëherë protagonizmi i kryeministrit, në mes të gërmadhave dhe të kaosit, nuk provoi veçse falimentimin institucional të shtetit shqiptar, përballë një katastrofe natyrore.
Në rrethana si ato që u krijuan pas tërmetit, tundimi nga ana e “të parit” për t’i marrë vetë gjërat në dorë duhet kundërpeshuar nga ligji. Përndryshe, çdo situatë krize e fuqizon demokraturën dhe dobëson institucionet që garantojnë të drejtat kushtetuese, përfshi këtu edhe të drejtën për shfrytëzim të paanshëm të hapësirës së komunikimit publik.
Në një Shqipëri ku sot opozita është tërhequr nga Parlamenti, rreziku që “pushteti të ketë gjithnjë të drejtë” është real dhe në rritje; aq më tepër kur ky pushtet nuk po e lëshon megafonin nga dora.
Botuar me lejën e autorit, marrë nga Peizazhe të fjalës