Dritëro Arifi, profesor i shkencave politike, bllokadën e krijuar e cila po pamundëson konstituimin e Kuvendit të Kosovës, po e konsideron si “mungesë të thellë të vullnetit politik për të zgjidh këtë cështje”.
Pikëpyetje e parë, sipas Arifit, në gjendjen aktuale, është se a ka parti fituese apo ka vetëm parti të parë.
“A ka parti fituese, është një pikëpyetje e madhe dhe po del që jo, a ka parti të parë, po. Dhe kjo partia e parë që është Vetëvendosje është që nuk i ka numrat për ta zgjedh një Kryetar/e të Parlamentit” – u shpreh Arifi në emisionin “Kallxo Përnime”.
Mos ndryshimi i propozimit nga ana e LVV-së, për kandidaten Albulena Haxhiu në postin e Kryetares së Kuvendit, sipas profesorit të shkencave politike, po del të jetë e pakuptimtë.
“Partisë së parë i takon me gjetë së pari një kanal komunikues me paritë tjera se si të shkohet tutje, por po shihet që nga 9 shkurti se z. Kurti nuk ka dëshirë të qeverisë, sepse as platformë nuk ka paraqitë”- deklaroi Arifi.
Partia që doli e para në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar disa herë rresht deputeten Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit të Kosovës. Por, Haxhiu nuk mori më shumë se 57 vota duke mos u zgjedhur kryeparlamentare.
Në anën tjetër, partitë e tjera kanë paralajmëruar që emri Albulena Haxhiut nuk do të votohet.