string(124) "armand-duka-ne-favorit-komenton-mundesite-e-shqiperise-ne-kualifikimet-per-boteror-serbia-me-element-te-mire-por-jo-kompakte"

Armand Duka në “Favorit” komenton mundësitë e Shqipërisë në kualifikimet për Botëror: Serbia me element të mirë, por jo kompakte

Sport

Gazeta Express

13/04/2025 21:54

Armand Duka ka komentuar mundësitë e Shqipërisë në kualifikimet e Botërorit të vitit 2026, që mbahet në ShBA, Kanada dhe Meksikë.


Ai ka folur ekskluzivisht në emisionin sportiv “Favorit”, duke i vlerësuar kundërshtarët e Shqipërisë në grup.

Lexo Edhe:

“Që me hedhjen e shortit, faktikisht nuk ka qenë një short i kënaqshëm për ne nga pikëpamja sportive sepse kemi Anglinë, një nga skuadrat që pothuajse asnjëherë nuk ka bërë një hap fals në kualifikuese. Madje, në vitet e fundit ka mbyllur turnetë kualifikues, ndeshjet kualifikuese me pikë të plota”, tha ai fillimisht.

Më tutje, ai komentoi edhe Serbinë, për të cilën tha që nuk është kompakte, pavarësisht se kanë elemente të mira.

“Serbia është një skuadër me element shumë të mirë, por mbase jo një skuadër kompakte. Pra, nuk është një grup i lehtë, por gjithsesi ne kemi filluar me synimin që ne mund të shkojmë në Botëror dhe do vazhdojmë kështu”, shtoi Duka në “Favorit”.

I pari i FSHF-së dhe njëherësh i dyti në UEFA ka thënë disa fjalë për dy ndeshjet që tashmë i ka luajtur kombëtarja shqiptare.

“Vërtetë kemi humbur ndeshjen e parë, por nuk është një zhgënjim, sepse pritshmëritë tona ishin shumë të mëdha që do të fitonim në Angli. Kemi fituar një ndeshje të dytë që në letër quhet një kundërshtar modest, por kur nuk e arrin rezultatin bëhet i vështirë, siç eksperiencat tona kanë treguar. Andorra na ka barazuar në vitin 2019 në Tiranë 2:2. Tashmë duket një pengese e kaluar lehtë dhe do vazhdojmë të kemi pengesa të vështira”, tha ai.

Pavarësisht se është vështirë – thotë Duka – ai beson dhe ëndërron për një kualifikim në Botëror.

“Të gjitha përballjet tona do të jenë të vështira, ajo kundër Serbisë më 7 qershor, ajo kundër Letonisë më 10 qershor dhe për të vazhduar më tej në Serbi, në Shqipëri kundër Letonisë, apo në Andorra dhe kundër Anglisë. Pra, çdo ndeshje do të jetë e vështirë. E dimë që është një rrugëtim i vështirë, por ne do të synojmë, do të ëndërrojmë”, shtoi Duka.

Ai në “Favorit” shpalosi edhe objektivin e kombëtares shqiptare për këtë kampanjë kualifikuese.

“Gjithmonë Botërori mbetet më i vështirë se Evropiani sepse kualifikohen vetëm 16 skuadra, kualifikohen vetëm vendet e para dhe të dytat luajnë në play-off dhe besoj se objektivi real i joni dhe ajo që duhet tentuar më shumë është që të kërkojmë Botërorin përmes play-offit. Por dihet në futboll pastaj janë shumë gjëra që duhet bëhen bashkë dhe unë uroj që të bëhen bashkë. Qoftë edhe ajo që the ti në fjalinë e fundit a do shkoni në Botëror, apo do shkojmë në Botëror. Nëse ne themi se do të shkojmë në Botëror, më të lehtë do ta kemi rrugën”, përfundoi Duka./GazetaExpress/