Forcat speciale RENEA dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë mësynë mëngjesin e kësaj të hëne në banesën e Ervis Martinajt, në Fushë Kuqe të Kurbinit dhe të familjarëve të tij.
Përmes një njoftimi për shtyp policia bën me dije se gjatë kontrolleve në 3 banesa, në një prej tyre u gjetën të fshehura në koshere bletësh dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale: 2 armë zjarri automatike, 1 silenciator, rreth 7 mijë fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, për armë të lehta dhe të rënda, 85 predha eksplozive, 1 thikë bajonetë, 9 uniforma policie, 7 jelekë multifunksionalë, 11 kapele policie, 2 radio policie, fenelina policie, maskë gome për fytyrën dhe dokumente të ndryshme.
Njoftimi i policisë
Kontrolle të befasishme në 3 banesa dhe në disa ambiente, në Fushë Kuqe. Kontrollet, në kuadër të hetimeve në funksion të dy procedimeve penale “Plumbi i artë” dhe “Rrëmbim personi”. Kontrollet, të mbështetura nga Forcat e Lëvizshme Operacionale të Policisë së Shtetit, FNSH dhe RENEA. Sekuestrohen 2 armë zjarri, 1 silenciator, mijëra municione luftarake, radio, fenelina, uniforma policie, maska dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Mëngjesin e sotëm, shërbimet e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe ekspertë të Institutit të Policisë Shkencore, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, mbi bazën e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në kuadër të procedimit penal të vitit 2022, regjistruar në SPAK, për vepra të rënda penale të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal, ushtruan kontroll në banesat e shtetasve: E. M., F. M. dhe R. M.
Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në koshere bletësh dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale, sendet e mëposhtme: • 2 armë zjarri automatike, 1 silenciator, rreth 7 mijë fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, për armë të lehta dhe të rënda, 85 predha eksplozive, 1 thikë bajonetë, 9 uniforma policie, 7 jelekë multifunksionalë, 11 kapele policie, 2 radio policie, fenelina policie, maskë gome për fytyrën dhe dokumente të ndryshme.
Gjatë kontrollit nuk janë gjetur vlera monetare. Provat materiale do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme laboratorike.
Pesë muaj pas zhdukjes, FNSH dhe RENEA kanë zhvilluar sot për herë të parë kontrolle në shtëpinë e bosit të lojërave të fatit, Ervis Martinaj që orët e para të mëngjesit të sotëm dhe zgjatën për rreth 5 orë. Kontrolli ishte me vendim të gjykatës në funksion të hetimeve që po kryhen për zhdukjen e Ervis Martinajt, por edhe për ngjarje të tjera kriminale që kanë ndodhur në këtë zonë. Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit të këtij viti.
/Gazeta Express