string(101) "arrestohen-dy-police-ne-peje-ipk-i-kerkuan-nje-qytetari-nje-shume-parash-per-te-mos-i-shqiptuar-gjobe"

Arrestohen dy policë në Pejë, IPK: I kërkuan një qytetari një shumë parash për të mos i shqiptuar gjobë

Lajme

Gazeta Express

20/04/2025 12:26

Dy policë nga Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë janë arrestuar sot nga hetuesit e Inspektoratit Policor për keqpërdorim të detyrës.

IPK-ja njoftoi se kishin marrë informacione se ata e kishin ndaluar një qytetar në një pikë kontrolli, të cilit për të mos i shqiptuar gjobë, i kishin kërkuar para.

Lexo Edhe:

“Inspektorati Policor i Kosovës ka pranuar sot informacione nga një qytetar i cili pretendonte se dy zyrtarë policorë nga Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor, të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë kanë keqpërdorur detyrën zyrtare. Hetuesit e IPK-së kishin pranuar informacione se zyrtarët policorë e kishin ndaluar qytetarin në një pikë kontrolli dhe për të mos i shqiptuar gjobë i kanë kërkuar qytetarit një shumë monetare. Pas veprimeve paraprake hetimore të kryera nga hetuesit e IPK-së, janë arrestuar dy zyrtarët policorë me dyshimin se kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” dhe të njëjtëve me vendim të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Për të parandaluar çdo ndikim të mundshëm në rrjedhën e hetimit si dhe për të mbrojtur integritetin e procedurës hetimore, IPK tha se i ka rekomanduar Policisë së Kosovës edhe suspendimin e tyre.

“Veprime të tjera do të ndërmerren në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe në koordinim me prokurorinë kompetente”, thotë IPK.

Inspektorati Policor i falënderoi qytetarët për bashkëpunimin, ndërsa tha se po përkushtohet “drejt fuqizimit të integritetit në radhët e policisë”.

“Të gjitha informacionet që pranohen përmes Linjës së Kaltër (numrit të telefonit pa pagesë 080003333) do të trajtohen me profesionalizëm dhe konfidencialitet nga hetuesit e IPK-së”, thuhet në njoftimin e IPK-së.