Arsenali ka humbur terren të vlefshëm në garën për titull në Premier League, pasi nuk shkoi më shumë se një barazim 1:1 ndaj Brentfordit në “Emirates Stadium”, në një ndeshje ku vendasit nuk arritën të ruajnë epërsinë.
Pas një pjese të parë të qetë dhe pa shumë raste të pastra, londinezët gjetën golin e epërsisë në minutën e 61-të. Ishte Thomas Partey ai që dërgoi “Topçinjtë” në avantazh 1:0, në një moment kur pritej që Arsenali ta vuloste ndeshjen me një fitore.
Por Brentford nuk u dorëzua dhe reagoi vetëm 13 minuta më vonë. Në minutën e 74-t, Yoane Wissa shënoi golin e barazimit, duke i siguruar ekipit të tij një pikë të vlefshme në transfertë.
Barazimi për Arsenalin vjen në një moment kritik të sezonit, pasi tashmë mbetet në vendin e dytë me 63 pikë, një distancë prej plot 10 pikësh nga kryesuesit e Liverpoolit, që kanë gjithashtu një ndeshje më pak të zhvilluar.
Ndërkohë, Brentford ngjitet në vendin e 11-të me 43 pikë, duke vazhduar një sezon të qëndrueshëm larg rrezikut dhe duke treguar se mund të sfidojë edhe skuadrat e kreut të tabelës.