string(77) "asociacioni-i-komunave-paraqiti-tri-kerkesa-ne-takimin-me-kryeministrin-kurti"

Asociacioni i Komunave paraqiti tri kërkesa në takimin me kryeministrin Kurti

Lajme

Gazeta Express

08/10/2024 14:37

Në një komunikatë për media AKK ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Qeveria të mbulojë shpenzimet e komunave që dalin nga kontrata kolektive, të rimbursojë mjetet e shpenzuara nga komunat dhe mos të bllokojë xhirollogaritë e komunave.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, pasi që është nënshkruese e kontratave kolektive përmes ministrive me sindikatat përkatëse, të parasheh mbulimin e plotë buxhetor të shpenzimeve që burojnë nga kontratat kolektive në buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025 dhe për vitet vijuese përmes Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve: Qeveria e Republikës së Kosovës, të rimbursoj mjetet e shpenzuara deri më tani nga komunat për obligimet financiare që rrjedhin nga kontratat kolektive; Të mos lejohet bllokimi i xhirollogarive të komunave për arsye të përmbarimeve si rrjedhojë e obligimeve të kontratave kolektive”, thuhet në komunikatë.

Lexo Edhe:

Kryetari i AKK-së, Agim Aliu tha se shpreson që kërkesat e tyre do të merren parasysh dhe shqyrtohen nga ekzekutivi.

I pari i Komunës së Ferizajit ka treguar nga arka e buxhetit komunal iu janë marrë afro 115 milionë euro si pasojë e obligimeve financiare ndër vite për kontratën kolektive.

“Për t’i shërbyer qëllimit për informimin tuaj të drejtë, më lejoni të ndaj para jush njoftimin se deri më tani, Komunave të Kosovës, nga arka e buxhetit komunal iu janë marrë afro 115 milionë euro si pasojë e obligimeve financiare ndër vite për kontratën kolektive, gjersa vetëm në dy vitet e fundit, mbi 80 milionë euro është shuma financiare e paguar nga komunat për obligimet e kontratave kolektive. Miliona euro mungesë në arkat e komunave. Qindra projekte të parealizuara anembanë Kosovës ndër vite. Qindra projekte të rrezikuara cilësisht si pasojë e tkurrjes së detyrueshme financiare e pasigurisë buxhetore nga procedurat përmbarimore. Është kjo pasqyra financiare sot e Komunave të Kosovës. Është ky jostabiliteti buxhetor, që zvetënon autorizimet e autoritetin e institucioneve lokale”, është shprehur Aliu.