Astrit Fazliu është njeriu i trofeve, shkruan Gazeta Express.
Sulmuesi ferizajas po iu sjell fat ekipeve në të cilat po luan ai.
Në fakt, ish-futbollisti i Ferizajt, Ulpianës, Prishtinës, Shkëndijës së Tetovës, Partizanit të Tiranës, Flamurtarit të Vlorës dhe Feronikelit e ka fituar titullin e tretë radhazi në IPKO Superligën e Kosovës në futboll.
Ai ishte shpallur kampion parvjet me Dritën.
E sezonin e kaluar ishte transferuar në Feronikel, ku po ashtu e kishte ngritur lart trofeun e më të mirit.
Kurse, Fazliu e kompletoi “hat-trickun” dje, duke triumfuar sërish me Dritën.
Kështu, ai bëhet njëri prej futbollistëve të rrallë që e fitojnë tri herë radhazi titullin e kampionit të Kosovës dhe atë me dy ekipe të ndryshme.
“Viti i tretë rresht që shpallem kampion i Kosovës. E pabesueshme për shumë njerëz, por e realizueshme. Urime Drita, Urime Intelektualët”, ka shkruar Fazliu në rrjetet sociale.
Gjithashtu, Fazliu është treguar i suksesshëm edhe në eksperiencat tjera në të kaluarën me klube të ndryshme, në Kosovës, Shqipëri e Maqedoni të Veriut. /Gazeta Express/