Analisti boshnjak i politikës së jashtme Denis Avdagiq, vlerëson se narrativat e përhapura nga vet Serbia, për kërcënime ndaj Serbisë, përfshirë ato që lidhen me Kosovën, nuk kanë bazë reale.
Sipas tij, as Serbia dhe as komuniteti serb në rajon nuk janë të rrezikuar, duke përfshirë edhe situatën në Kosovë.
Ai thekson se interpretimet e Beogradit për marrëveshjet e bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës janë të shtrembëruara dhe paraqiten gabimisht si një “aleancë ushtarake” kundër Serbisë.
“Një gjë e tillë nuk ekziston. Asnjë pjesë e atij bashkëpunimi nuk është e drejtuar kundër Serbisë dhe gjithçka është transparente dhe publike”, thekson ai.
Duke folur për zhvillimet në Kosovë, Avdagiq nënvizon se rasti i vetëm serioz i sigurisë ka qenë i shkaktuar nga serbia, duke iu referuar kështu sulmit terrorist në Banjskë.
Siç e përshkruan ai, sulmi i Banjskës, ishte tipik një akt me karakter terrorist i kryer nga persona që identifikohen si serbë.
Sipas tij, kjo tregon se problemi nuk është një kërcënim ndaj serbëve, por mënyra se si disa ngjarje interpretohen dhe përdoren për qëllime politike.
“Bashkëpunimi me Kinën, ndërkohë që ishte i mundur edhe me Rusinë dhe Bjellorusinë, është vendim i tyre sovran. Megjithatë, ajo që është e rëndësishme kur vihet vija ndarëse është – a është Serbia e kërcënuar? Nuk është! A janë njerëzit që identifikohen si serbë të kërcënuar diku në rajon? Ata nuk janë. As në Kosovë. Në fakt, e vetmja gjë që ndodhi në Kosovë ishte se një akt praktikisht terrorist u krye nga njerëz që identifikohen si serbë. Pra, ky është thelbi i gjithë historisë”, theksoi Avdagiq per SB
Avdagiq vlerëson se deklaratat për kërcënime dhe tensione janë pjesë e një retorike politike që përsëritet, sidomos në periudha të ndjeshme politike.
Ai shton se, pavarësisht toneve të ashpra, realiteti në terren është ndryshe dhe nuk ka tregues konkretë për një përshkallëzim të mundshëm të situatës në Kosovë apo në rajon.
Analisti thekson se, megjithëse retorika politike mund të krijojë perceptim pasigurie, situata reale në Kosovë dhe në rajon mbetet stabile.
“Rreziku serioz për konflikt nuk ekziston – përveç në deklaratat politike që shpesh janë të shkëputura nga realiteti”, përfundon Avdagiq.