Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami tha se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje janë “bllokuesit e vërtetë” të konstituimit të Kuvendit.
Ajo tha pas ndërprerjes së sërishme të seancës konstituive se nuk e kanë obligim të votojnë për kandidatin e propozuar nga partia e parë, siç tha Hekuran Murati i LVV-së.
“Në rastet e kaluara ka pasur shumicë për qeveri, e rrjedhimisht ajo shumicë i ka pasur votat edhe për kryetar të Kuvendit. Ose ka pasur raste kur kandidati i propozuar ka qenë i pranueshëm për të gjitha grupet politike të përfaqësuara në Kuvend, gjë që nuk është rasti me tani”, tha ajo.
Bajrami tha se LVV-ja nuk po heq dorë nga emri i Albulena Haxhiut dhe nuk po bën as përpjekje për një emër konsensual.
“Ata duhet të ulen, të bisedojnë me partitë politike. Ka një parti politike që tashmë është deklaruar se i ka të pranueshëm dy emra”, tha ajo, duke iu referuar AAK-së. “Dhe e dëgjuat gjithashtu z. Murati që tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk heq dorë nga kandidatura e njëjtë”.
“Do të thotë nuk po flitet për kurrfarë marrëveshje. Bllokuesit e vërtetë në këtë rast janë Lëvizja Vetëvendosje”, tha ajo.
Ajo tha se LDK-ja nuk po kërkon emër tjetër nga LVV-ja.
Deputetja tha se “ata mund ta propozojnë një kandidat prej komplet një grupi politik tjetër”.
“Dhe ne mandej ulemi dhe i pyesim deputetët se si duan të votojnë”, tha ajo.