Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, është deklaruar rreth ngërçit në Kuvend, duke thënë se kjo parti ‘‘nuk bëhet pjesë e një mashtrimi politik që synon të mbajë vendin në peng për interesa të ngushta partiake’’, shkruan Gazeta Express.
Në postimin e saj, Bajrami ka thënë edhe se, për të arritur shumicën në Kuvend janë dy mënyra, ose me votat e qytetarëve ose me marrëveshje politike, ku, VV-ja, siç ka potencuar deputetja e LDK’së, të parën nuk e ka arritur, kurse të dytën me marrëveshje politike VV-ja ‘’s’po e don’’.
Bajrami, ka deklaruar edhe se insistimi i LVV-së në kandidaturën e Albulena Haxhiut, për të parën e Kuvendit, është shpërfillje e realitetit parlamentar që po bllokon me vetëdije konstituimin e Kuvendit, dhe se, përmes kësaj, ata po tregojnë mungesë të vullnetit për t’i shërbyer vendit.
‘‘Kriza institucionale e shkaktuar nga LVV po dëmton ekonominë, po pengon zhvillimin, po thellon izolimin ndërkombëtar dhe po neglizhon secilin problem me të cilin sot përballen qytetarët’’, ka shkruar ajo.
Tutje, deputetja e LDK-së, ka thënë se vendi meriton institucione funksionale, dialog politik dhe qeveri të përgjegjshme.
Postimi:
Lidhja Demokratike e Kosovës ka qenë dhe mbetet në favor të një zgjidhjeje të përgjegjshme që respekton Kushtetutën, demokracinë parlamentare dhe vullnetin e qytetarëve. Ne respektojmë të drejtën e të parit për të propozuar kryeparlamentarin, por kjo nuk do të thotë që ne bartin të drejtën e votës te një subjekt tjetër, duke votuar sipas kërkesës së tyre. Janë dy dy mënyra për të bërë shumcën në Kuvend: i merr votat nga qytetarët ose bën marrëveshje politike. LVV-së të parën nuk ia kanë dhënë qytetarët të dytën s’po e don, sepse s’ka bërë asnjë përpjekje për ta arritur atë, andaj përgjegjësia është mbi ata dhe duhet të kërkohet nga ata.
Lidhja Demokratike e Kosovës nuk bëhet pjesë e një mashtrimi politik që synon të mbajë vendin në peng për interesa të ngushta partiake.
LVV duke insistuar vetëm në një kandidatur për kryetare të Kuvendit dhe duke shpërfillë realitetin parlamentar po bllokon me vetëdije konstituimin e Kuvendit. Refuzimi i tyre për të propozuar një kandidat tjetër, për të ndërtuar një konsensus minimal institucional, dhe për të respektuar nevojën për bashkëpunim politik, tregon qartë mungesën e vullnetit për t’i shërbyer vendit.
Kriza institucionale e shkaktuar nga LVV po dëmton ekonominë, po pengon zhvillimin, po thellon izolimin ndërkombëtar dhe po neglizhon secilin problem me të cilin sot përballen qytetarët.
Për çdo ditë që kalon pa institucione funksionale, fatura politike, ekonomike dhe sociale për qytetarët rritet.
Kosova meriton institucione funksionale, dialog politik dhe qeveri të përgjegjshme. /GazetaExpress