Kryetari i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, ka vijuar turin elektoral me takime në Divjakë dhe në Sauk, ku ka shpallur dy nga zotimet kryesore të programit të tij: mbështetjen e drejtpërdrejtë për fermerët dhe rritjen e qëndrueshme të pensioneve.
Gjatë takimit me fermerët në Divjakë, Basha u njoh nga afër me vështirësitë që hasin bujqit. Ai akuzoi qeverinë për neglizhencë 12-vjeçare ndaj këtij sektori jetik për ekonominë.
“Fermerët shqiptarë janë të braktisur. Prodhimi u kalbet në rrugë sepse nuk ka treg, nuk ka mbështetje, nuk ka infrastrukturë,” tha Basha.
Ai prezantoi planin e Koalicionit Euroatlantik, që parashikon “100 milionë euro subvencione në vit dhe 50 milionë euro për infrastrukturën rurale, me qëllim që mbi 150 mijë familje fermerësh të dalin nga varfëria”.
“Pa ngritur bujqësinë, nuk ngrihet ekonomia. Pa ngritur fermerin, nuk ka mirëqenie. Ky është një bekim që duhet kthyer në zhvillim për të gjithë shqiptarët,” u shpreh ai.
Pas Divjakës, Basha u zhvendos në Sauk. Të moshuarit u ankuan për pensionet e ulëta dhe pamundësinë për të përballuar ilaçet dhe jetesën e përditshme.
“100 mijë lekë pension? A merr ilaçe, a pi një kafe? Leje më për dritat e ujin…” – u ankua një e moshuar.
Në përgjigje, Basha prezantoi planin për rritjen e pensioneve, i cili përfshin:
“Nuk është vetëm një premtim. Është një plan i realizueshëm, i bazuar në mundësitë reale të ekonomisë sonë dhe përvojën më të mirë ndërkombëtare,” theksoi Basha.