Klubi basketbollistik Bashkimi ka bërë një komunikatë zyrtare duke sqaruar incidentin që ndodhi ndaj Pejës të dielën.
Bashkimi ia doli që ta mposhtë Pejën me rezultat 84-78 për të marrë epërsinë prej 2-1 në serinë gjysmëfinale.
Sidoqoftë, kjo ndeshje pati një shije të hidhur kur pak sekonda pa përfunduar takimi, një përleshje e madhe që ndodhi jashtë vijave të parketit bëri që dueli të ndërpritet.
Nga ana e klubit prizrenas kanë thënë se incidenti nuk kishte të bëjë fare me gjyqtarët apo me lojtarët e Pejës dhe se deri në këtë pikë situata arriti shkaku i reagimit jo të duhur në menaxhimin e saj nga sigurimi i brendshëm.
“Duke iu falënderuar për përkrahjen tuaj të vazhdueshme dhe dashurinë ndaj basketbollit, dëshirojmë të ju informojmë dhe sqarojmë lidhur me incidentin e ndodhur në ndeshjen e fundit të zhvilluar nga klubi ynë”. “Për fat të keq, për shkak të një keqkuptimi dhe reagimit jo të duhur në menaxhimin e situatës nga ana e sigurimit të brendshëm, i cili është kontraktuar nga klubi për t’u kujdesur për sigurinë në sallë, në mënyrë tërësisht të paqëllimshme ndodhi një incident dhe një situatë e papëlqyeshme, vetëm 5 sekonda para përfundimit të ndeshjes, kur rezultati tashmë ishte i qartë”.
“Verpime këto që nuk pasqyrojnë vlerat dhe qëllimet tona sportive”, thuhej ndër të tjerash në reagimin e Bashkimit.
Tashmë seria gjysmëfinale është bartur në Pejë, ndeshje kjo që do të zhvillohet të enjten dhe në rast se Bashkimi arrin fitore, do të kualifikohet në finale.