Viti 2023 ishte shumë i ngjeshur për Federatën e Basketbollit të Kosovës.
FBK organizoi Divizionin C për meshkuj U16, si dhe FIBA 3×3 U23 Nations League, kurse ishte bashkëorganizatore në FIBA 3×3 Women’s Series dhe FIBA 3×3 Challenger Prishtina.
Lajm sensacional ishte zgjedhja e Kryetarit të FBK-së, Arben Fetahu, si anëtar i Bordit të FIBA Evropës.
Tjetër arritje ishte kur Fetahu u zgjidh nënkryetar i FIBA Europe Youth Commission, derisa Elvira Dushku anëtare e këtij Komisioni.
Stafi i FBK-së kreu me sukses disa programe të FIBA-s, ndërsa shkollimi vazhdoi edhe për trajnerët.
Gjithashtu u organizuan kampe të basketbollit, klinika për trajnerët e gjyqtarët.
Sa i përket trofeve, Peja u shpall kampione te meshkujt, kurse Trepça fitoi Kupën dhe Superkupën, kurse te femrat Bashkimi fitoi tripletën: titullin, Kupën dhe Superkupën. Partizani fitoi Ligën Unike te femrat.
Kosova A fitoi dy ndeshje (ndaj Zvicrës) dhe humbi dy (nga Danimarka), ndërsa Kosova u përfaqësua me pesë grupmosha në arenën ndërkombëtare.
Te arena ndërkombëtare, Peja dhe Trepça kishin paraqitje dinjitoze në grupet e FIBA Europe Cup.
Vendin tonë gjatë vitit 2023 e vizitoi Drejtori Ekzkutiv i FIBA Evropës, Kamil Novak, kurse lajm i rëndë ishte ndarja nga jeta e trajnerit të basketbollit, Illmen Bajra.
Më poshtë janë ngjarjet e vitit 2023 në basketboll:
Mbahet FIBA Scod Klinika për gjyqtarët
Më 6 janar është mbajtur FIBA Scod Klinika për gjyqtarët e FBK-së. Në këtë Klinikë mes sezonale pjesëmarrës kanë qenë 37 gjyqtarë nga të gjitha listat e gjyqtarëve të FBK-së. FIBA Scod Klinika për gjyqtarët është udhëhequr nga FIBA Instruktori Nacional, Faton Kurshumlija, Instruktori i gjyqtarëve të FIBA-s, Gjorgi Piperkov, si dhe me prezantim Fitim Goga, dhe me prezantim Online në Zoom platformën Prof. Ridvan Ekmekci.
Arben Krasniqi, pjesëmarrës në Punëtorinë e JB NBA Ligës në Paris
Drejtori Teknik i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Krasniqi më 21 janar ka marrë pjesë në Punëtorinë (Workshopin) e NBA Junior League, në Paris të Francës.
Në këtë Workshop kanë ligjëruar: Neal Meyer, Drejtor i NBA për Evropë dhe Lindje të Mesme, Daën Smyth, drejtoreshë e NBA International Operations, Henry Utku, udhëheqës i Programeve Zhvillimore të JR NBA, si dhe Adrian Carmos, menaxher i JR NBA Ligës. Temat kanë qenë si të zhvillohen më mirë kapacitetet organizative të federatave, por edhe zhvillimin e talenteve të reja.
Caktohen përzgjedhësit e Kosovës
Federata e Basketbollit e Kosovës më 21 janar ka emëruar përzgjedhësit e Kosovës për grupmosha të reja.
Kosova U20 (M): Përzgjedhës Dritëro Sefaja, ndihmës Dion Pllana.
Kosova U20 (F): Përzgjedhëse Shemsije Stublla, ndihmës Qëndrim Demi.
Kosova U18 (M): Përzgjedhës Brahim Veseli, ndihmësit Endrit Elshani dhe Safet Kastrati.
Kosova U18 (F): Përzgjedhës Furkan Saglik, ndihmësit Emrah Karatas dhe Aurora Muhaxheri.
Kosova U16 (M): Ibrahim Karabegu, ndihmësit Driton Obërtinca dhe Elbasar Gështenja.
Dushku në Barcelonë për fuqizimin e vajzave dhe grave në basketboll në kuadër të projektit
Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Elvira Dushku më 26 janar në Barcelonë ka marrë pjesë në takimin e parë të partnerëve të projektit “PROMISE” (Një Hap Përpara për Basketbollin e Vajzave dhe Grave), takim ky që është organizuar nga Federata e Basketbollit të Katalonisë, njëherësh lidere e këtij projekti të fituar në kuadër të Bashkimit Evropian, më saktësisht nëpërmjet programeve të Erasmus+.
Projekti “PROMISE” përbëhet nga 5 paketa të punës dhe FBK është përgjegjëse për implementimin e njërës nga këto paketa: “Komunikimi, Shpërndarja dhe Rritja e Ndërgjegjësimit për Mediat”. Dushku në takimin në Barcelonë e ka bërë prezantimin e paketës së punës që është përgatitur nga FBK, por do të implementohet nga të gjithë partnerët e projektit. Projekti “PROMISE” përbëhet nga 7 institucione që mbulojnë 6 vende evropiane siç janë: Spanja, Irlanda, Kosova, Portugalia, Franca dhe Bullgaria.
Kupa e Kosovës në Konakun e Rahovecit
Kupa e Kosovës u zhvillua nga 15 deri më 19 shkurt në Rahovec, në një spektakël të basketbollit. Trepça është fituese e Kupës së Kosovës, duke mbrojtur trofeun e fituar vitin e kaluar. Mitrovicasit në finale mundën Sigal Prishtinën me rezultat 74:66, takimin që u vendos në dhjetë minutat e fundit. Më herët ‘Xehetarët’ mundën Rahovecin dhe Vëllaznimin. MVP i Final 8 është shpallur Drilon Hajrizi.
Bashkimi fitoi për herë të dytë radhazi Kupën, ku në finale fitoi ndaj Prishtinës me rezultat 94:72. Pjesa e parë ishte më e barabartë, por dallimi u bë në pjesën e dytë me prizrenaset që triumfuan dhe festuan në fund. MVP e finales është shpallur Khadija Haywood.
Bora fitoi Kupën e Ligës së Parë te meshkujt. Skuadra prishtinase në finale mundi Neë Basket me rezultat 104:62. MVP është shpallur Dion Haxhosaj i Bora-s.
FBK fitoi të drejtën e organizimit të FIBA 3×3 U23 Nations League
Federata e Basketbollit e Kosovës (më 27 shkurt) fitoi të drejtën për të organizuar një tjetër ngjarje madhore. Kësaj radhe FBK në FIBA 3×3 U23 Nations League. Kjo është hera e parë që në vendin tonë organizohet një ngjarje e tillë. Kosova për herë të parë mori pjesë në këtë garë në të dyja konkurrencat.
FBK me kampanjë Anti-Doping në basketboll
Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) në muajin shkurt të këtij viti ka zhvilluar kampanjën anti-doping në basketboll. FBK ka vizituar klubet seniore në të dyja konkurrencat, ndërsa zyrtarët e FBK-së kanë treguar për pasojat që sjell dopingu në sport, përkatësisht në basketboll dhe përgjegjësitë e lojtarëve.
Kampanja është mirëpritur nga klubet e basketbollit, duke u njohur nga afër për pasojat që sjell dopingu. Federata e Basketbollit e Kosovës ka marrëveshje me Agjencinë e Anti-Dopingut për Kosovë (KosADA) nga viti 2022. Gjithashtu FBK është përkujdesur që në fillim të këtij viti të shpërndajë listën e WADA-s me substanca dhe metoda të ndaluara 2023 te të gjithë klubet e basketbollit. Gjithashtu FBK ka shpërndarë video dhe informacione në rrjetet sociale gjatë 3 muajve për ndërgjegjësimin e basketbollistëve dhe punëtorëve sportiv rreth dukurive negative të dopingut.
Tuhina, kampione e Konferencës PAC-12
Një sukses historik për ekipin e Washington State Cougars dhe basketbollisten nga Astera Tuhina,
që është shpallur kampion i Konferencës PAC-12, duke mposhtur UCLA me rezultat 65:61 në Las Vegas.
Astera ka luajtur rol kyç në triumfin e ekipit të saj në debutimin e saj në këtë ligë. Tuhina në finale ka luajtur për 31 minuta, duke realizuar gjashtë pikë, gjashtë asistime dhe tri kërcime, duke marrë vlerësime shumë pozitive për paraqitjen në finale, por edhe gjatë gjithë këtij edicioni.
Washington State Cougars u shpall kampione më 6 mars.
Enisa Kamerolli me suksese në SHBA
Ekipi i basketbollit UT Tyler, ku pjesë është edhe basketbollistja e Kosovës, Enisa Kamerolli, vazhdoi me suksese. UT Tyler u kualifikuan në turneun e parë NCAA DII dhe pasi kanë fituar dy ndeshjet e para, ka mundur Lubbock Christian 67:64 në kohën shtesë për të depërtuar në Elite Tight. Enisa është pjesë e grupmoshave të Kosovës, ndërsa ka luajtur edhe me Kosovën A.
Partizani, kampion i Ligës Unike
Partizani është kampion i Ligës Unike për femrat. Skuadra nga Tirana në finale ka mundur Flamurtarin e Vlorës me rezultat 61:72. Kjo është hera e parë që Partizani fiton Ligën Unike, ndërsa edicionin e
kaluar ishte Prishtina. Në Final 4 e zhvilluar në Vlorë më 15 e 16 mars, Partizani në gjysmëfinale kishte mundur Bashkimin, kurse Flamurtari eliminoi Prishtinën. Hanna Brych u shpall MVP e turneut, ndërsa në pesëshen më të mirë të turneut ishin: Sarah Mgbeike e Prishtinës, Aulona Muhadri e Bashkimit, Sophia Jackobsson dhe Samra Omerbasic të Flamurtarit dhe Lasonja Edëards e Partizanit.
Hidhet shorti për JR NBA Kosova
20 marsi ishte një ditë dhe datë e rëndësishme për Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK).
Me ceremoni zyrtare është bërë hedhja e shortit për Junior NBA Kosova. Ky është edicioni i dytë i kësaj gare, ku marrin pjesë 30 shkolla fillore nga e gjithë Kosova dhe më pas janë ndarë në dy Konferenca dhe gjashtë Divizione. Hapjen e ka bërë Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, i cili ka folur për rëndësinë e këtij projekti. Ish-basketbollisti i njohur i NBA-së, Gordan Giricek dhe ambasadori Erik Brucker kanë folur për rëndësinë e këtij programi. Më pas është hedhur shorti, ku shkollat fillore u ndanë në Divizione përkatëse.
Giricek dhe Brucker stërvitin fëmijët e Kosovës
Ish-basketbollisti i njohur i NBA-së, Gordan Giricek së bashku me Erik Brucker, Menaxher i Lartë për Operacionet e NBA-së më 19 mars kanë mbajtur një stërvitje me fëmijët e Kosovës.
Si Giricek ashtu edhe Brucker ishin të lumtur për këtë stërvitje me 15 basketbollistë të rinj, ndërsa në fund u ndan shumë të kënaqur me atë se çfarë kanë parë nga 1 orë e 30 minuta stërvitje. Edhe basketbollistët e rinj kishin mundësi të mësonin shumë, duke marrë parasysh përvojën e Giricek dhe Brucker.
Mbahet Kuvendi i Punës
Më 22 Mars u mbajt Kuvendi i Punës i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK). Në këtë Kuvend kanë marrë pjesë 31 delegatë nga 40 gjithsej sa numëron Kuvendi. Më pas është miratuar Rendi i Ditës, ku nuk kishte kundërshtime. Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu ka folur për të gjitha pikat e rendit të ditës, e që ishin: Raporti i Aktiviteteve të FBK-së për vitin 2022, Raporti i Auditimit për vitin 2022, Draft Plani i Veprimit 2023, Draft Plani Financiar 2023, Draft Plani i Marketingut 2023 dhe të ndryshme. Kuvendi ka zgjedhur si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës, Dren Zatriqin, duke zëvendësuar Artan Spahijën, me kërkesën e këtij të fundit.
Her World, Her Rules te Kosova U20
Vashat e Kosovës U20 (25 mars) ju kanë bashkuar kampanjës “Her World, Her Rules” (Bota e Saj, Rregullat e Saj” në kuadër të projektit FIBA Europe Girls Program).
Ky program ka për synim masivizimin e basketbollit te femrat dhe mbështetjen për basketbollin femëror, ku Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku së bashku me 23 lojtare dhe stafin e Përfaqësueses së Kosovës kanë përkrahur dhe ju kanë bashkangjitur kësaj kampanje.
Kosova në turneun e YDF-së në Bullgari
Kosova në të dyja konkurrencat me U14 mori pjesën në turneun e YDF-së, që u organizua në Bullgari, nga 29 marsi deri më 2 prill. Kosova në katër ndeshje pësoi katër humbje në të dyja konkurrencat, duke u mundur nga Maqedonia, Veriore, Rumania, Bullgaria dhe Turqia.
Bashkimi kampion te femrat
Bashkimi është kampion i Kosovës te femrat. Prizrenaset kanë shënuar fitore në ndeshjen me Prishtinën me rezultat 78:64 apo me serinë finale 3:1 (më 11 prill).
Khadija Brown Haywood është zgjedhur MVP.
Këtë vit KBF Bashkimi ka fituar gjithashtu edhe Kupën në Final 8 në Rahovec, ku pati triumfuar ndaj Prishtinës.
Nënshkruhen kontratat, katër basketbolliste si Shpresa Olimpike
Në Komitetin Olimpik të Kosovës më 19 prill janë nënshkruar kontratat me sportistët që janë shpallur “Shpresa Olimpike 2023”. Në mesin e tyre janë edhe katër basketbolliste: Etna Rexhepi, Merisa Bilalli, Olsa Tahiri dhe Yllza Uka. Basketbolli përfaqësohet më së shumti në këtë listë nga të gjitha sportet e përzgjedhura.
Ato kanë nënshkruar marrëveshjen së bashku me përfaqësuesin e FBK-së, Adriatik Rraci si Menaxher i Përfaqësuesve të Kosovës. Bursistët iu takojnë 17 sporteve të ndryshme olimpike, ndërsa mbështetja për ta është në vlerë 150 euro në muaj.
Dardanët kundër Zvicrës dhe Danimarkës
Më 25 prill është hedhur shorti për Rrethin e Tretë Parakualifikues për FIBA EuroBasket 2025, ku është publikuar edhe orari.
Dardanët ndodhen në Grupin H, së bashku me Zvicrën dhe Danimarkën. Sfida e parë është ndaj Zvicrës më 19 korrik, kurse më 26 dhe 29 korrik, Kosova është mysafire e Danimarkës, përkatësisht Zvicrës, kurse përballja e fundit është kundër Danimarkës më 5 gusht në Prizren.
FBK në Panairin e Turizmit dhe Sportit
Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) është pjesëmarrëse në Panairin e Turizmit dhe Sportit. Ky Panair u zhvillua më 27-28 prill në Palestrën “1 Tetori” në Prishtinë.
Panairin e ka vizituar edhe Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu dhe Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku. Në stendën e FBK-së qytetarët e shumtë janë interesuar për programet e ofruara nga Federata e Basketbollit e Kosovës, në veçanti për Basketbollin 3×3. Pjesë e panairit janë shumë organizata sportive, ekonomisë, biznesit dhe turizmit. Ky është edicioni i 19-të i këtij Panairi.
Mbahet Klinika me amerikan Nick Berlage
Më 29 dhe 30 prill në Prishtinë u mbajt Klinika e Basketbollit me trajnerin amerikan Nick Berlage.
Berlage është trajner individual në NBA me përvojë 10 vjeçare. Ka punuar me 12 lojtarë të NBA-s dhe 39 lojtarë të NCAA divizioni 1 në përmirësimin e teknikës së gjuajtjes. Klinika organizohet nga Shoqata e Trajnerëve të Basketbollit të Kosovës (SHTBK) në bashkëpunim me Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) dhe Komunën e Prishtinës. Kjo Klinikë është vazhdimësi e SHTBK-së dhe FBK-së në edukimin e trajnerëve të basketbollit të Kosovës.
Peja, kampione e Kosovës
Peja është kampione e Kosovës. Në një super finale shumë interesante dhe dramatike më 18 maj, verdhezinjtë kanë mundur Trepçën 91:93, në njërën nga finalet më interesante pasluftës në basketbollin e Kosovës. Verdhezinjtë triumfuan 3:2 në serinë finale, ku sfida e fundit u zhvillua në ‘Minatori’ të Mitrovicës.
Fundi ishte dramatik, ku Amin Hot shënoi në fund për 77:77 dhe ndeshja shkoi në vazhdime, e në çastet e fundit realizoi Brad Waldow për 91:93. Jalen Tate është zgjedhur MVP i finaleve.
Sensacionale: Arben Fetahu, zgjidhet anëtar i Bordit të FIBA Evropës
Një lajm i jashtëzakonshëm nga Munihu. Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu është zgjidhur anëtar i Bordit të FIBA Evropës. Ky është një sukses i madh për Federatën e Basketbollit e Kosovës dhe Basketbollin e Kosovës. Fetahu është zgjedhur me 39 vota pro në zgjedhjet që janë mbajtur më 20 maj në Asamblenë e Përgjithshme të FIBA Evropës, ku mori pjesë edhe Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, të cilët janë shpërblyer për punën që kanë bërë gjatë periudhës 2019-2023 në komisionet e FIBA-s.
Tjetër sukses madhor: Fetahu zgjidhet nënkryetar i FIBA Europe Youth Commission, Dushku anëtare e këtij Komisioni
Tjetër lajm madhor për Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) dhe basketbollin e Kosovës. Pas zgjidhjes së Arben Fetahut për herë të parë anëtar i Bordit të FIBA Europës, Kryetari i FBK-së është zgjidhur nënkryetar i FIBA Europe Youth Commission, ndërsa Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku është zgjidhur anëtare e FIBA Europe Youth Commission për mandatin 2023-2027.
Prezantohet Rami Hadar
Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) më 22 maj ka prezantuar zyrtarisht trajnerin e Përfaqësueses A, Rami Hadar. Ai së fundi u shpall kampion i Kosovës me Pejën, duke dëshmuar se është një trajner i nivelit të lartë, ndërsa ka përvojë të madhe në basketbollin evropian. Hadar ka mbi 30 vjet përvojë në basketbollin evropian, ku ka drejtuar skuadra të mëdha si Maccabi Haifa, Maccabi Telaviv dhe Maccabi Be’er Sheva. Për të do të jetë hera e parë që udhëheq një kombëtare A.
Logo e Evropianit
FBK më 26 maj ka prezantuar logon e Evropianit të Divizionit C për meshkuj U16. I inspiruar nga flamuri dhe yjet e Kosovës, logo është punuar nga FIBA për Evropianin e Divizionit C, që do të zhvillohet në kryeqytetin e Kosovës. Rrathët që janë majtas dhe djathtas dhe në mes, janë pjesë e simbolit të qytetit të Prishtinës ose Hyjneshës në fron.
Astera Tuhina, model suksesi para vajzave të reja
Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka vazhduar me promovimin e kampanjës “Her World, Her Rules”, ku së fundi si rol model për këtë kampanjë ka përzgjedhur basketbollisten e talentuar Astera Tuhina. Kampanja është organizuar në Prizren, Prishtinë dhe Pejë, në fund të muajit maj.
Së bashku me Asterën pjesë e kampanjës ishin edhe Elvira Dushku, Sekretare e Përgjithshme e FBK-së, Arben Krasniqi, Drejtor Teknik në FBK, Artina Hasani, Menaxhere e Eventeve e Basketbollit 3×3 në FBK dhe Rrezarta Kqiku, Asistente Ekzekutive në FBK.
Kjo kampanjë është zhvilluar gjithashtu edhe në qytetin e Pejës për Kupën e Kosovës U16 te femrat, si dhe në Mitrovicë.
Krasniqi në Konventën e Mini Basketbollit
Në Madrid të Spanjës është mbajtur Konventa e Mini Basketbollit, ku ka marrë pjesë edhe Drejtori Teknik në FBK, Arben Krasniqi. Konventa, që është mbajtur nga 2 deri më 4 qershor, ishte pjesë përmbyllëse e trajnimit të Kursit për trajnerë të Mini Basketbollit 2022/23 të organizuar nga FIBA Europe.
Turneu i FIBA YDF-së në Prizren
Nga 8 deri më 12 qershor në Prizren është organizuar turneu i FIBA YDF-së për U14. Në këtë turne kanë marrë pjesë: Kosova, Maqedonia Veriore, Turqia, Bullgaria dhe Rumania në të dyja konkurrencat.
Për pesë ditë me radhë janë zhvilluar 20 ndeshje. Meshkujt pësuan katër humbje edhe pse tri prej tyre luftuan deri në fund dhe me pak fat kanë mundur të fitojnë, ndërsa edhe vashat pësuan katër humbje.
FBK dhe FIBA YDF kanë bashkëpunim që nga viti 2016, bashkëpunim ky, i cili ka ndihmuar në zbulimin e talenteve të rinj, edukimin e trajnerëve dhe ngritjen profesionale te lojtarët.
Pse të presësh, kur mundesh me hy direkt me Fast Lane? Si Sponsor Gjeneral i Sunny Hill Festival, Banka...