KF Llapi është i pari që ka reaguar në lidhje me ndaljen e përfitimeve për futbollin kosovar, përmes Ligjit të Sponsorizimit.
Ky reagim vjen, pasi në Emisionin “Favorit”, Ministria e Sportit – e përfaqësuar nga Fidan Shatri – kishte konfirmuar se kërkesat e para të klubeve për përfitim nga Ligji i Sponsorizmit nuk janë marrë parasysh, dhe nuk do të mirren as më tutje, nëse Federata e Futbollit e Kosovës nuk e përsërit Kuvendin e Punës.
Është vetë trajneri i Llapit, Tahir Batatina që ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, përcjell “Gazeta Express”.
Ai ka thënë se do të ketë protesta nga klubet, nëse këto benefite do të ndalen.
“Nëse ndalet sponsorizimi për klubet sportive, atëherë të gjithë njëzëri duhet t’i ndalim aktivitetet sportive!
Të gjithë sportdashësit, tifozët, drejtuesit e klubeve dhe shkollat e futbollit duhet të nisim një protestë masive para Ministrisë së Sportit. Të dorëzohen të gjitha kartelat e lojtarëve në ministri dhe ta lëmë që vetë ministria të organizojë garat në të gjitha kategoritë e futbollit në vendin tonë.
Nuk është e pranueshme që për inate personale apo interesa individuale të dëmtohet sporti dhe e ardhmja e futbollit në Kosovë. Në të gjitha vendet e zhvilluara, sporti ndihmohet dhe mbështetet – te ne po pengohet.
Kjo është edhe arsyeja pse të rinjtë po largohen dhe Kosova po zbrazet dita-ditës.
Nëse kështu vazhdon, atëherë le të luajnë futboll vetë ministrat dhe zyrtarët e Ministrisë, sepse edhe ashtu nuk kemi institucione funksionale – as kuvend, as qeveri”, thuhet në postimin e Batatinës.
Mbi 20 milionë euro janë ndarë për sportin kosovar në vitin 2024 në bazë të marrëveshjeve të realizuara sipas këtij ligji në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Vetëm FC Prishtina e ka realizuar të hyra prej 1 milion e 113 mijë eurosh në vitin 2024.
Kurse, FFK-ja nga ky ligj i kishte përfituar 1 milion e 120 mijë euro, shkruan “Gazeta Express”.
Klubet tjera më pak, por që në total janë në pyetje miliona euro për futbollin kosovar nga ky ligj, i cili vlerësohet tashmë si jetik për futbollin./GazetaExpress/