Bashkimi Europian është bërë palë me Serbinë në raport me Kosovën, duke sulmuar Prishtinën dhe duke amnistuar Beogradin. Presioni i Brukselit për themelimin e Asociacionit është shtuar mbi Albin Kurtin, por jo edhe mbi Aleksandër Vuçiqin për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dalog. Qasje e padrejtë, e paskrupullt.
Imer Mushkolaj
Josep Borrell u shfaq fort nervoz në Bruksel, në konferencën për media bashkë me Albin Kurtin. Kur kryeministri kosovar tha se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të themelohej, shefi i politikës së jashtme europiane u shfaq i ashpër, duke thënë se e kundërta duhej të ndodhte.
Borrell po bënte diçka që nuk i takon atij. Çështja e themelimit ose jo të Asociacionit është çëshje e palëve, pra Kosovës e Serbisë dhe nuk është çështje e Bashkimit Europian, që nuk ka qenë madje as ndërmjetës, por vetëm lehtësues në kohën e nënshkrimit të marrëveshjes më 2013. Por Borrell ka zgjedhur të flasë tash sa kohë me gjuhën e Aleksandër Vuçiqit, teksa kërkon me ngulm që Asociacioni të themelohet.
Nga më shumë se tridhjetë marrëveshje të nënshkruara ndërmjet dy shteteve, Serbia nuk ka zbatuar plot nga to. Por Borrell inatin e ka me Kosovën. Ai nuk po kërkon nga Serbia që t’i zbatojë marrëveshjet e arritura, por është fokusuar në përgjegjësinë e palës kosovare për themelimin e Asociacionit. Në këtë mënyrë Borrell është bërë palë me Serbinë në raport me Kosovën, duke humbur rolin neutral që do të duhej ta kishte. Pra, Borrell dhe zyrtarë të tjerë të BE’së janë kthyer në zëdhënës të Beogradit karshi Kosovës.
Kur policia e Kosovës ndërmori aksionin në veri për luftimin e kontrabandës dhe krimit të organizuar Borrell nuk kurseu kritikat, duke thënë se aksioni ishte bërë pa koordinim. Mbase mendja ia kishte thënë se në të tilla raste Kosova duhet të koordinohet me Serbinë. Pas vizitës në SHBA ai ndërroi qëndrimin, e përmirësoi deklaratën skandaloze. Dhe, si për të mos u konsideruar sërish i njëanshëm e skandaloz, ai ngarendi të përshëndesë vendimin e SHBA’së për futjen në listën e zezë të kriminelëve të veriut. Po të kishte zgjidhje tjetër, me siguri do të ishte rreshtuar krah Vuçiqit dhe Listës Serbe.
* * *
Është e vërtetë se marrëveshja për Asociacionin është votuar nga dy të tretat e deputetëve në Kuvendin e Ksoovës. Siç është e vërtetë se atëbotë ish-kryeministri Hashim Thaçi thoshte se themelimi i Asociacionit do t’i sillte Kosovës liberalizimin e vizave, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare – madje edhe në NATO, si dhe anëtarësimin në Këshillin e Europës. Tetë vjet pas ratifikimit të marrëveshjes, asnjëra nga këto premtime nuk është përmbushur, siç nuk është themeluar as Asociacioni që po vazhdon të jetë barrë për institucionet e vendit.
Qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje tash është se ky organizëm nuk do të themelohet në asnjë mënyrë, ndërkohë që bëhet fjalë për një marrëveshje ndërkombëtare. Nëse nuk ka vullnet për ta themeluar as sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, atëherë VV duhet të ndërmarrë iniciativë për zhbërjen e marrëveshjes në Kuvend. Në të kundërtën, shumica qeverisëse duhet të propozojë alternativa se si të dilet nga kjo situatë, respektivisht si të ecet përpara. Albin Kurti këtë nuk po e bën, pra, nuk po tregon se cila është zgjidhja. Kjo situatë nuk mund të vazhdojë kështu. Nevojitet qartësim dhe transparencë.
* * *
BE ka zgjedhur të bëjë presion mbi më të dobëtin, pra Kosovën dhe ta amistojë Serbinë për përgjegjësitë e veta në dialog. Një shtet si Serbia, që deri më tash nuk ka shprehur madje as keqardhjen më të vogël për të gjitha krimet që i ka kryer në Kosovë, po mirëkuptohet e amnistohet nga Brukseli, në përpjekje të dëshpëruara që ta bëjë pjesë të BE’së. Por, nuk po e tregon të njëjtën ndjesi për Kosovën dhe kosovarët, të cilëve madje nuk ua dhënë as liberalizimin e vizave, duke i lënë të vetmit qytetarë të izoluar në Europë.
Kosova vazhdimisht ka pranuar pa ngurrim gjithçka që ka ardhur nga Brukseli, madje edhe Asociacionin me kompetenca ekzekutive, që do ta defunksionalizonte vendin nga brenda. Kjo nuk është shpërblyer nga BE, përkundrazi, Kosova vazhdon të jetë tapet për qitje për burokratët e Brukselit.
Një qasje e re në dialog është e domosdoshme dhe presioni i BE’së duhet të drejtohet kah Serbia që ende vazhdon të refuzojë zbatimin e marërveshjeve të arritura. Kësaj qasjeje në ndihmë i ka ardhur edhe SHBA, me vendimin për vendosjen në listë të zezë të kriminelëve të veriut. Vendimi nuk është mesazh vetëm për Milan Radoiçiqin e Zvonko Veselinoviqin, por edhe për bashkëpunëtorët e tyre shqiptarë – zyrtarë të lartë politikë. Është mesazh edhe për Vuçiqin e BE’në. Ky momentum duhet shfrytëzuar nga institucionet kosovare në funksion të forcimit të subjektivitetit të brendshëm e të jashtëm – pa marrë parasysh se çfarë thonë Borrell e Vuçiq.
Pse të presësh, kur mundesh me hy direkt me Fast Lane? Si Sponsor Gjeneral i Sunny Hill Festival, Banka...