Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, uroi sot besimtarët e krishterë shqiptarë me rastin e festës së Pashkës, duke përcjellë mesazhe shprese, besimi dhe mirëkuptimi.
Kreu i shtetit zhvilloi vizita të veçanta në selitë e komuniteteve fetare ortodoks dhe katolik, ku ndau me klerikët urimet dhe vlerat që përcjell kjo festë.
Në kishën “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, Presidenti Begaj u prit nga kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Joan Pelushi. Gjatë vizitës, presidenti theksoi rëndësinë e Pashkës si një ditë e shpresës dhe dashurisë:“Është shpresë, është besim, është gëzim, është një shenjë që na fton për më shumë dashuri dhe mirëkuptim mes nesh. Uroj të gjithë besimtarët e krishterë për shumë gëzime, begati, paqe dhe shpresë në këto Pashkë të bekuara!”
Presidenti gjithashtu përcolli urimet e tij për Kryepeshkopin Joan me rastin e shërbesës së tij të parë të Pashkës në krye të Kishës Ortodokse, duke e cilësuar këtë festë si një ditë që bashkon të gjithë besimtarët e krishterë dhe duke përçuar një mesazh të posaçëm për të rinjtë:“Është një ditë me një mesazh të fortë, siç u përmend edhe nga Kryepeshkopi, për të rinjtë që kanë filluar të frekuentojnë meshat dhe shërbesat. Uroj për ta një të ardhme të ndritur këtu, në vendin tonë.”
Më pas, Presidenti zhvilloi një vizitë në Katedralen e Shën Palit në Tiranë, ku u prit nga Imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkëv i Tiranë-Durrësit. Në fjalën e tij, ai nënvizoi rëndësinë e veprave të mira dhe të përkushtimit ndaj vlerave njerëzore:“Uroj në këtë ditë të shenjtë të gjithë besimtarët e krishterë katolikë, ortodoksë dhe ungjillorë: Pashkë të bekuara, të paqta, të begata e të gëzuara për çdo besimtar dhe për çdo familje shqiptare! Le të jetë drita e kësaj dite një shenjë mirëkuptimi dhe besimi për atë që është më e rëndësishme në jetë. Të bëjmë mirësi dhe të lejojmë që vlerat të triumfojnë mbi antivlerat.”
Në përfundim të vizitave, presidenti përcolli urimin e tij të përbashkët për të gjithë shqiptarët:
“Gëzuar Pashkët për çdo shqiptar, për çdo besimtar!”
Gazeta Express dhe Televizioni T7 janë në kërkim të një agjenti dinamik dhe ambicioz të shitjes dhe marketingut për...