Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me banorët e Tiranës ka premtuar ulje të çmimit të energjisë elektrike dhe naftës, duke akuzuar qeverinë për taksa të tepërta që rëndojnë qytetarët. Berisha tha se energjia elektrike mund të shitet pa humbje për 7 lekë për kilovat, ndërsa për biznesin do të ulte çmimin në 6 lekë. Ai shtoi se qeveria merr taksa të tepruara në naftë, duke e bërë atë më të shtrenjtë se në Kosovë, pavarësisht se vjen nga Durrësi.
“Shqipëria mund të shesë energjinë pa asnjë lloj humbjeje për 7 lekë kilovatin dhe për biznesin do ta ulim në 6 lekë. Po ashtu, taksa që merr qeveria në 1 litër naftë është absurde, pasi shkon deri në 1.1 euro. Ne do t’i përgjysmojmë këto taksa dhe nafta do të shitet me çmime më të arsyeshme, ashtu siç ndodh në Maqedoni dhe Kosovë”, tha Berisha.