Nga Kongresi i Partive Popullore Europiane, lideri i opozitës Sali Berisha deklaroi se “e gjithë bota pret fitoren e PD në zgjedhjet e 11 majit”, duke theksuar se nën drejtimin e saj do të mundësohet anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Në forumet ku marrin pjesë kancelari Merz, presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, kryetarja e Parlamentit Europian Roberta Metsola dhe 14 kryeministra europianë, Berisha theksoi se Shqipëria ndodhet sot në duart e një narkoshteti që, sipas tij, ka shndërruar zgjedhjet në fasadë dhe ushtron terror ndaj opozitës.
“Këtu, në sy të Europës, kam denoncuar të vërtetën e trishtë për regjimin e Edi Ramës. Po i tregojmë Europës se shqiptarët janë gati për një të ardhme ndryshe, për shtet ligjor dhe integrim”, deklaroi Berisha.
Ai bëri të ditur se PPE pritet të miratojë një rezolutë të katërt brenda 5 muajsh që dënon qeverisjen e Ramës, duke e cilësuar këtë si një mbështetje të plotë për opozitën dhe një sinjal të qartë për nevojën e ndryshimit në Shqipëri.
“Me këtë rezolutë dënohen haptazi dhuna ndaj opozitës, deformimi i zgjedhjeve, shkeljet e ligjit dhe korrupsioni. Ky është një kushtrim për shqiptarët që të ndahen nga regjimi dhe të hapin një kapitull të ri”, shtoi ai.
Berisha theksoi se Rama është tashmë një “i dënuar ndërkombëtarisht” dhe paralajmëroi se fitorja e PD më 11 maj do të jetë “fitorja e 75-të e forcave të qendrës së djathtë në Europë për këtë vit”.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje për ironitë e kryeministrit Rama ndaj pjesëmarrjes së tij në Kongresin e PPE, Berisha u shpreh se “ironia vjen nga frika” dhe theksoi se mbështetja e ndërkombëtarëve për opozitën është më e fortë se kurrë.
Në fund, ai u ndal edhe tek raporti i OSBE-së, duke e cilësuar “shumë serioz” dhe një tjetër provë për shqetësimet reale mbi procesin zgjedhor në Shqipëri.