Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar etiketimin e përdorur nga Kryeministri Edi Rama, i cili e quan atë “buf kënete”. Për Berishën, nuk është aspak ofendim, por përkundrazi, ai e lidh etiketimin me atë që simbolizon bufi.
“Ky njeri ka vetëm batuta me realizmin socialist. Ky njeri nuk e di se çfarë nderi i bën Sali Berishës me bufin.
Bufi është simboli i Athinasë, perëndeshës së urtësisë dhe mençurisë. Bufi konsiderohej kaq simbol i arrirë. Athinaja nuk zgjodhi shqiponjën, zgjodhi bufin.
Edhe romakët, pas grekëve, nuk i thoshin dot Athina perëndeshës së mençurisë, por e quajtën Minerva. As Minerva nuk e ndërroi simbolin. Do të mërzitet ai (Rama) sonte kur ta marrë vesh. Minerva përsëri ruajti bufin si simbol. Simbol i mençurisë, i zotësisë, i vendimit”, tha Berisha.
Më pas, Berisha përdori teorinë frojdiane.
“Njëra anë është ajo frojdiane, ato me Noc Rrokun i ka probleme të vetat. Është punë kompleksesh. Nuk do bëj psikoanalizën e tij (Ramës) tani”, shtoi Berisha i ftuar në emisionin “Top Story” në Top Channel.