Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një vizitë në Durrës, ku prezantoi disa nga pikat kryesore të programit elektoral të forcës që ai drejton.
Gjatë takimit me punonjës të një biznesi fason, Berisha u ndal te çështja e rritjes së pagave dhe pensioneve, si dhe te krijimi i një bordi për stabilizimin e euros.
“Një bord i veçantë do të monitorojë lëvizjet e kursit dhe do të kompensojë sipërmarrësit për luhatjet e monedhës, derisa ne t’i presim rrugën dyndjes së kokainës dhe parave të kokainës me gërshërët e ligjit”, deklaroi ai.
Ndërkohë, Berisha premtoi edhe falje gjobash për bizneset e vogla, duke u angazhuar për një qasje më miqësore ndaj sipërmarrësve.
“Nuk u japin zgjidhje sepse nuk paguajnë ryshfet dhe nuk janë demokratë. Kanë fituar edhe gjyqet, por mafia është mbi gjykatën dhe nuk pyet”, tha Berisha.
Berisha u shpreh se kur të vijë në qeverisje, nëse fiton zgjedhjet e 11 majit, do të ndërtojë një bord të veçantë për të monitoruar luhatjen e kursit të këmbimit.
“Këto zgjedhje janë para të gjithash për ekonominë, ekonominë. Ne kemi përcaktuar Made in Albania si krenari kombëtare e do bëjmë gjithçka të mbështesim prodhimin shqiptar. Të bëjmë gjithçka për suksesin e sipërmarrësit shqiptarë. Të lehtësojmë në maksimum barrën fiskale, të mbrojmë eksportet. Ju jeni një sipërmarrje eksporti. Unë kuptoj vështirësinë që ju shkakton narko-euro. Ata sjellin kontejnerë dhe vagona me eurot e drogës dhe rrëzojnë përtokë euron në Shqipëri. I shndërrojnë në kullat e drogës dhe korrupsionit, kurse sipërmarrjet shkojnë drejt falimentimit dhe falimentojnë me shumicë. Qeveria do kompensojë çdo qindarkë të kursit të euros për të gjithë eksportuesit, gjë e cila i bën ata të punojnë në kushte më të qeta, më të sigurta. Të kesh një rënie të euros në 35 % sa ç’është rënia, është pothuajse shkatërrimtare pasi këto janë sipërmarrje që kanë të bëjnë me euron dhe shkëmbimi bëhet me euron.
Në këtë kontekst, një bord i veçantë do ngrihet për të monitoruar lëkundjet e kursit dhe për të kompensuar për çdo sipërmarrës, gjersa ne me gërshërët e ligjit t’ia presim rrugën dyndjes së kokainës dhe parave të kokainës, për të cilat ekonomia shqiptare nuk ka nevojë. Ekonomia shqiptare ka nevojë për prodhim, prodhim, prodhim. Prodhimi në Shqipëri po bie çdo vit. Ka një rënie të dhimbshme sepse shoqërohet me humbjet e vendeve të punës të burrave dhe grave që detyrohen të marrin mërgimin si alternativë të vetme për të mbijetuar.”, tha Berisha.