string(75) "berisha-nga-korca-do-ti-shpallim-lufte-me-zero-tolerance-varferise-ekstreme"

Berisha nga Korça: Do t’i shpallim luftë me zero tolerancë varfërisë ekstreme

Shqiperi

Gazeta Express

22/04/2025 20:03

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha prezantoi sot kandidatët për deputetë të aleancës “PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore” në qarkun e Korçës.

Gjatë fjalës së tij Berisha bëri edhe një prezantim të programit.

Lexo Edhe:

“Koalicioni për Shqipërinë Madhështore ka një projekt për çdo korçare dhe korçar, për çdo shqiptare dhe shqiptar. Ky projekt është Korça, Pogradeci, Devolli dhe Kolonja në zenitin e kohës së tyre, në madhështinë e potencialeve të tyre, në madhështinë e shpirtit të qytetarëve të kësaj treve, të cilët në beteja të tyre për liri, në beteja të tyre për dije, në betejën e tyre për punë dhe mirëqenie qëndrojnë në kurorën e kombit shqiptar, qëndrojnë në kurorën e qytetërimit shqiptar dhe evropian.

Me këtë projekt ne do të bëjmë gjithçka, do t’i shpallim luftë me zero tolerancë varfërisë ekstreme dhe mjerimit në Korçë dhe Shqipëri”, tha Berisha.

Berisha shtoi më tej “se një familje e fortë është themeli i të gjitha arritjeve tona, se një familje e fortë është kushti i mirëqenies sonë, është kushti i moralit tonë, është kushti i të ardhmes sonë në Korçë dhe Shqipëri”.

Kreu i PD-së tha se duke vendosur “pensionin minimal 200 euro, minimumin jetik 200 euro, duke vendosur pagën minimale 500 euro, duke vendosur kartën e konsumatorit, duke vendosur bonuset për fëmijë e parë, të dytë, për të tretin, shpenzime të plota nga lindja gjer në 23 vjeç, ne krijojmë kushte që çdo familje të jetë në paqe, të mbrojë veten me punën, mundin dhe djersën e saj”.

“Familja është tempulli i formimit, i edukimit, i moralit, i virtytit, për çdo shqiptar, për çdo korçar. Njerëz të lirë, korçare dhe korçarë të lirë, mos harroni kurrë se konservator do të thotë tradicional, se tradicional do të thotë besim te familja, besim te familja, besim te familja”, u shpreh Berisha.