string(68) "berisha-nje-vit-sigurime-shoqerore-te-paguara-per-cdo-punonjes-te-ri"

Berisha: Një vit sigurime shoqërore të paguara për çdo punonjës të ri

Shqiperi

Gazeta Express

23/04/2025 18:51

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha prezantoi sot në Tiranë kandidatët e “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore” për Vorën dhe Kasharin. Gjatë fjalës së tij Berisha u ndal tek programi i PD-së për fëmijët dhe bizneset.

Berisha tha se do të bëhet gjithçka për shkollimin e fëmijëve, njëherësh do të hiqet edhe kriteri i mesatares.

Lexo Edhe:

“Tarifat e studimeve do të pjesëtohen me 3 apo 4 herë. Se pas studimeve, çdo i ri dhe çdo e re do të mbështetet për punësimin. Qeveria do i paguajë një vit sigurimet shoqërore sipërmarrësit që do të punësojë një të ri. Qeveria do paguajë çdo gjë, të gjitha shpenzimet për trajnimin e të rinjve para se të fillojnë punën. Qeveria do të financojë me kredi të buta çdo projekt të tyre për të ndërtuar një biznes të vogël, një start up, do t’i bëjë atyre të mundur. Një çati për çift, do të jetë zotimi ynë para atyre”, tha Berisha.

Kreu i PD-së shtoi se në programin e “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore” ka edhe një mbulim me grant prej 30 mijë eurosh për çiftet e reja që duan të investojnë në blerjen e një shtëpie të re. Sipas Berishës, do të jetë qeveria që do të paguajë gjithë interesin e kredisë për blerjen e shtëpive dhe çiftet që do të bëhen me 3 fëmijë, kredinë do ta kenë të paguar tërësisht nga qeveria.

“Rroga minimale, nuk do jetë kurrë nën 500 euro. Çdo sipërmarrësi do t’i kompensohet me ulje taksash rritja e rrogës minimale në 500 euro. Rroga mesatare do të jetë 1200 euro. Po rrogat mbi minimale, që të gjitha, me një vendim të vetëm qeverie, rriten me 13%, sepse ne do të ulim tatimin mbi të ardhurat personale nga 23% në 10%. Do investohet shumë, mundësi të reja për shkollimin”, tha ai.

“Sot, arsimi është në një rrokullisje të vërtetë, në një rrokullisje të madhe, në një rrokullisje mjerisht më të madhe në botë, dhe nuk do doja kurrë të thosha një gjë të tillë. Por, ka një provë, ka një test, që e bën organizata e vendeve të zhvilluara, OECD-ja, dhe fëmijët tanë në këtë test të vitit 2006-2013, në këtë test ata dolën me një ngjitje vertikale”, shtoi Berisha.

Kreu i PD-së u shpreh se për periudhën 2016-2023, arsimi në vend u paraqit me rënien më të madhe në botë, prej 69 pikëve në matematikë dhe kjo sipas Berishës ndodhi sepse u shkatërrua arsimi dhe klasat u boshatisën.

“Mësuesit, nga mësues për dijen, për arsimin, sollën militantë për partinë, dhe i dhanë arsimit goditjet më të rënda. Unë jam këtu për t’u garantuar ju se, fëmijët tuaj do të kenë shkollat më të mira. Se përsëri, teknologjia digjitale do të zbatohet në çdo shkollë. Se modernizimi i shkollave, do të jetë përparësi e madhe. Mësuesi, do të vendoset në piedestalin që i takon, duke i paguar atij jo më pak se 1500 euro”, pohoi Berisha.