string(127) "berisha-prezanton-programin-per-pensionistet-rritje-pensionesh-karte-konsumatori-dhe-zgjerim-i-listes-se-rimbursimit-te-ilaceve"

Berisha prezanton programin për pensionistët: Rritje pensionesh, kartë konsumatori dhe zgjerim i listës së rimbursimit të ilaçeve

Shqiperi

Gazeta Express

04/04/2025 12:57

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka prezantuar sot programin e PD-së për pensionistët. Ai ka deklaruar se, pas tre muajsh të ardhur në pushtet, do të ndërmerren hapa konkretë për rritjen e pensioneve dhe mbështetje për pensionistët me një program të gjerë rimbursimi ilaçesh.

Berisha tha se “tre muajt e parë, do të vendosim minimumin jetik 200 euro dhe çdo pension do të rritet me 20%.” Ai shtoi se, për dy të tretat e pensionistëve që marrin më pak se 200 euro, pas ardhjes së PD-së në pushtet dhe miratimit të buxhetit të parë, ata do të përfitojnë 200 euro si pension minimal.

Për pensionet mbi këtë shumë, do të aplikohet një rritje prej 20%. “Kemi vendosur që nga buxheti i shtetit të marrim fondin dhe të vendosim për çdo shqiptar të rritur minimumin jetik 200 euro,” shtoi Berisha.

Lexo Edhe:

Kreu i PD-së u ndal edhe te një tjetër masë që do të implementohet për pensionistët dhe ata me paga të ulëta: “Do të vendosim kartën e konsumatorit, e cila do të ketë çdo pensionist dhe çdo rrogëulët, dhe ata do të mund të marrin kthimin e TVSH-së, që arrin në rreth 450 euro në vit. Kjo i bie afërsisht rreth 3 pensione aktuale”.

Berisha theksoi se ky kthim i TVSH-së do të jetë shumë i dobishëm për pensionistët, të cilët nuk do të duhet të paguajnë më për konsumet e tyre si ata me pagë të mesme. Ai shtoi gjithashtu se “Pensionistët nuk do e blejnë ushqimin njësoj si rrogëtarët. Ata do ta blejnë me çmimin e rregullt, por shteti do t’u kthejë atyre TVSH-në e çmimit, 20 përqindëshin.”

Një tjetër masë e rëndësishme që Berisha njoftoi është zgjerimi i listës së rimbursimit të ilaçeve për pensionistët. Ai garantoi se ilaçet e pasigurta nuk do të lejohen më të tregtohen në Shqipëri, pasi do të rikthehet ligji që ndalon hyrjen në treg të ilaçeve që nuk tregtohen në të paktën dy vende të Bashkimit Evropian. “Ne rikthejmë këtë ligj në 100 ditët e para”, tha Berisha.

Kryetari i PD-së shtoi gjithashtu se do të ndërmerren masa për të ulur çmimet e shërbimeve bazë për pensionistët. “Ne do ta ulim çmimin e energjisë elektrike nga 9.5 që u bë tani, në 7. Do të përgjysmojmë tarifën e ujit për pensionistët dhe rrogëulëtit”, theksoi ai.

Berisha përfundoi duke ftuar të gjithë pensionistët të bashkohen për ndryshimin që do të vijë pas datës 11 maj: “11 maji është një ditë që bën ndryshimin e madh dhe unë ftoj çdo pensionist, pavarësisht nga bindjet e tij, të bashkohet në këtë përpjekje të përbashkët”.