Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kritikuar Reformën në Drejtësi.
“Reforma në drejtësi në Shqipëri, të jemi të hapur, u projektua në mënyrë të fshehtë në një dokument të fondacionit Shoqëria e Hapur”, tha Berisha gjatë një tryeze diskutimi mbi këtë çështje.
Ai argumentoi se, pavarësisht problematikave, shqiptarët kishin një proces ligjor të pranueshëm deri para miratimit të reformës. “Kurrë që nga vitet ’90, gjersa u zbatua ky proces, shqiptarët nuk kanë pasur një sistem të përsosur, por kanë pasur një proces ligjor të pranueshëm”, shtoi ai.
Sipas Berishës, kjo reforme ka ndikuar në funksionimin e shtetit ligjor. “Sot, kjo e drejtë po u mohohet qytetarëve, jo me ligj, por me fakte dhe realitet”, theksoi ai.
Duke përmendur progresin që Shqipëria kishte bërë në të kaluarën në procesin e integrimit europian, Berisha nënvizoi se “ky proces ligjor i ka mundësuar vendit anëtarësimin në Këshillin e Europës, firmosjen e marrëveshjes së liberalizimit të vizave dhe hyrjen në NATO”.