Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha prezantoi sot planin për uljen e çmimeve të banesave, i cili përfshin uljen e taksës së ndikimit në infrastrukturë nga 18% e çmimit të shitjes në 2% të preventivit.
Gjatë një konference për shtyp, Berisha u shpreh se shkak themelor i çmimeve strastosferike në ndërtim janë taksat absurde që vendosen mbi sipërfaqen e ndërtimit, të cilat në fakt sipas rastit, minimumi 10-fishuan taksën e përparme dhe në raste të tjera edhe e 20 apo 30-fishuan atë.
“E gjitha kjo iu faturohet qytetarëve, duke ua shndërruar në pamundësi blerje, ose duke i shndërruar apartamentet në molla të ndaluara. Jo vetëm kaq, por kjo ka një ndikim shumë të fortë tek qiratë. Dhe në vendin me rrogat më të ulëta në Europë, qiratë janë në nivelet më të lartat. Ne e ndryshojmë rrënjësisht këtë situatë”, tha Berisha.
Berisha theksoi se do të shfuqizohet taksa 3 për qind e strehimit social mbi çmimin e shitjes shfuqizohet. Po ashtu, sipas tij, tarifa 1 për”qind e lejes së zhvillimit mbi vlerën e investimit do të shfuqizohet”. “Tarifa e rivlerësimit të pronës do ulet nga 5 në 1 për qind”, tha Berisha.
Duke u ndalur te programi i PD-së për ekonominë, Berisha theksoi se “programi synon të nxisë prodhimin në Shqipëri”.
“Do të ulet numri i shkallëve të ndryshme tatimore. Vendoset taksa e sheshtë 10 për qind mbi kapitalin, mbi të ardhurat nga puna, me përjashtim të 50 mijë lekëve të para nuk do tatohen. Taksa e sheshtë 10 për qind mbi të ardhurat jo nga paga. Zero taksim për profesionet e lira dhe biznesin e vogël. Tavani vjetor për tatim fitimin zero për biznesin e vogël. Kufiri i përjashtimit nga TVSH do jetë 18 milionë lekë xhiro vjetore. TVSH do ulet në 15 për qind, ikën tabuja 20 për qind”, tha ai, duke renditur disa prej pikave të këtij programi.
Berisha prezantoi po ashtu nismat lehtësuese për biznesin dhe qytetarët.
“Akciza për birrën do jetë me dy fasho. Për verën, do të unifikohet akciza e lidhur me gradacionin e alkoolit. Akciza do të lidhet me prodhues të mëdhenj dhe të vegjël. Ne do nxisim prodhimin vendas. Natyrisht respektojmë rregullat e BE”, theksoi ai.
Po ashtu, Berisha theksoi se “energjia elektrike për biznesin do shitet në 6 lekë, duke zbritur 3-4 herë”.