Pas një muaji përkushtimi dhe agjërimi, besimtarët myslimanë në mbarë botën, përfshirë Shqipërinë, do të festojnë nesër Fitër Bajramin, një nga ditët më të rëndësishme të kalendarit islam.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka njoftuar se ceremonia kryesore në Tiranë do të mbahet në Sheshin “Skënderbej”. Aktivitetet do të nisin në orën 06:45 me leximin e Kuranit dhe një ligjëratë fetare, ndërsa namazi i Bajramit do të falet në orën 07:30.
Fitër Bajrami është një ditë gëzimi, solidariteti dhe mirësie, ku besimtarët ndihmojnë ata në nevojë përmes shpërndarjes së lëmoshës (sadaka e fitrit), duke u siguruar që të gjithë të mund ta festojnë këtë ditë të shenjtë.
Pas faljes së namazit, familjet dhe miqtë mblidhen për të ndarë së bashku drekën tradicionale të Bajramit, ndërsa vizitat tek të afërmit janë një tjetër traditë e pandashme e kësaj feste.
Në këtë ditë, mesazhi kryesor që përcillet është ai i paqes, dashurisë dhe harmonisë, duke theksuar vlerat e tolerancës dhe bashkëjetesës në shoqëri. Gëzuar Fitër Bajramin!