Pëlqimet që Faton Bislimi i mori në postimin e tij në Facebook, kur bëri të ditur kandidimin për kryetar të LDK-së, nuk i ndihmuan në Kuvendin e 10-të Zgjedhor të kësaj partie.
Ai nuk arriti t’i futet garës për ta rivalizuar Lumir Abdixhikun, pasi nuk ishte as delegat në Kuvendin e 10-të të LDK-së dhe sipas statutit të partisë, Bislimit nuk i lejohet kandidimi për kryetar, raporton drejtpërdrejt nga Kuvendi Zgjedhor i LDK-së, gazetarja e T7, Nesa Kryeziu.
“Norma e statutit të LDK-së nënkupton që secili anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës që dëshiron të zgjedhet, ai duhet të fillojë procesin nga struktura bazë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, që është nëndega”, tha anëtari i Kryesisë së LDK-së, Shkëmb Manaj. “Prandaj, që ta keni të qartë të gjithë delegatët, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës zgjidhet në pajtim me Kushteutën, në pajtim me statutin e LDK-së dhe në pajtim me rregulloren, duhet të jetë delegat i zgjedhur i Kuvendit të LDK-së”, shtoi ai.
Menjëherë, Bislimi u çua për t’u ankuar para Kryesisë së Punës të Kuvendit Zgjedhor të LDK-së, por pa rezultat.
Sipas rregullave të brendshme të partisë, kandidimi duhet të bëhet vetëm gjatë punimeve në Kuvend dhe pastaj Kuvendi zgjedh komisionin kandidues.
Statuti e saktëson se delegatët e kanë autoritetin për kandidaturat.
Në LDK u votua për rregulloren e punës së Kuvendit që nuk e lejon Bislimin të kandidojë në këtë mënyrë për kryetar të partisë. Në Kuvendin e përbërë nga 333 delegatë sa ishin të pranishëm në sallë, 331 votuan për këtë rregullore.