Propozimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike 15 për qind ka ngjallur shqetësim te bizneset në Kosovë, të cilat thonë se kjo barrë e re do të ndikojë drejtpërdrejt në prodhim dhe konsum, raporton Ekonomia Online.
Përfaqësuesit e sektorëve të ndryshëm të ekonomisë paralajmërojnë se kjo rritje e çmimit të energjisë do të ketë ndikim edhe në rritjen e çmimeve të produkteve dhe kërkojnë masa lehtësuese nga qeveria, përfshirë heqjen e përkohshme të TVSH-së për energjinë elektrike.
Ahmet Kuçi, pronar i fabrikës së këpucëve “Solid” në Suharekë, e cilëson këtë rritje si tepër të rëndë për prodhuesit, sidomos duke marrë parasysh standardin ekonomik të Kosovës.
“Ne të gjithë e dimë se çka do të thotë 15 për qind. 15 për qind e kemi rritjen në shpenzime. Derisa në fitimet tona si kompani e prodhimit të këpucëve ne nuk kemi ndonjë marzhë tejet të madhe, 15-20 për qind. Unë kam dëgjuar nëpër vende të tjera se si shkon dy- tre për qind, po në një stad të thuhet 15 për qind mua më duket është tepër ngarkesë, sidomos për prodhuesit. Duke marrë për bazë standardin e Kosovës, se thonë rryma më e lirë në Gjermani e ku ta di unë. Po, por ku është standardi gjerman e ku është standardi i Kosovës”, ka thënë Kuçi.
Ai shtoi se kjo rritje e çmimit të energjisë elektrike do të reflektohet menjëherë edhe në çmimet e produkteve.
“15 për qind është tejet e ngarkuar dhe normale që do të ketë edhe ngritje të çmimeve. Ne ashtu kemi mbetur me disa çmime, meqë nga pandemia aty e kemi një mangësi në çmim sa ne kemi pretenduar, normale që do të ngrihet çmimi. Sepse edhe çmimi i lëndës së parë është ngritur. Kjo unë mendoj, është tejet e ngarkuar. Ne kërkojmë si popull, por edhe si prodhues, që të paktën të hiqet TVSH-ja në një afat të caktuar. Kjo do të kishte qenë një ndihmesë”, ka thënë Kuçi.
Nga ana tjetër, Suad Berisha, pronar i kolegjit “Universum”, u shpreh se kjo rritje do të ndikojë më së shumti tek qytetarët dhe bizneset, duke qenë se prodhimtaria është e varur nga energjia elektrike.
Ai përmendi edhe një aspekt pozitiv, atë të liberalizimit të tregut të energjisë në Kosovë.
“Kisha shprehur shqetësimin që te qytetaret e Kosovës kjo sigurisht do të ketë ndikim më të madh. Ndërsa, normale edhe te bizneset, sepse prodhimtaria varet, kryesisht nga energjia elektrike. Ajo çka pakëz ju jep një lehtësi bizneseve është që më në fund pas 25 vjetësh ZRRE-ja, gjegjësisht qeveria e Kosovës ka vendosur që ta liberalizojë tregun e energjisë elektrike dhe ta eliminojë edhe ndikimin e monopolit që ka zgjatur për 25 vjet. Çka nënkupton kjo në tregun e lirë? Nënkupton që tash e tutje ekonomia e Kosovës nuk varet vetëm nga një furnizues si ka qenë KESCO, që ka blerë kryesisht nga KEK-u dhe industria kosovare nuk ka pasur alternativë tjetër dhe është detyruar që të furnizohet nga KESCO”, ka thënë Berisha.
Sipas tij, liberalizimi i tregut do t’u japë bizneseve më shumë alternativa për furnizim me energji, por ky proces nuk do të jetë i lehtë. Ai kërkon që qeveria të heqë TVSH-në për energjinë elektrike, të paktën për një periudhë të caktuar për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve.
“Heqja e TVSH-së është një kërkesë e përkohshme, meqenëse me vetë faktin se tash po kalohet j në sistemin e ekonomisë së tregut të lirë ka shqetësime nga komuniteti i biznesit se jo shpejt dhe jo lehtë do të përfshihen në atë treg të lirë. Është një kërkesë për një periudhë, derisa të stabilizohet furnizimi nga tregu i lirë”, ka thënë Berisha.